Goretzka: E njohim trajnerin e ri dhe i vlerësojmë sukseset e tij

Pas pauzës për ndeshjet e kombëtareve, lojtarët po kthehen në klubet respektive. Edhe Leon Goretzka është gati të të zhytet përsëri në ambientin e Bayern Munich ku ka ardhur Tomas Tushelli.


Në një intervistë të dhënë për “Bild”, gjermani ka folur për situatën e klubit në prag të përballjes së dyfishtë në Ligën e Kampionëve që do të vërë përballë bavarezët kundër Man. Sitin në çerkefinalet e turneut. Ai e ka filluar nga ndërrimi i trajnerit.

“Fatkeqësisht nuk e kam takuar akoma Tomas Tushellin. Të gjithë e njohim dhe i vlerësojmë sukseset që ka arritur ai. E vlerësojmë shumë eksperiencën e tij. Presioni te Bayern është gjithmonë shumë i madh. Sigurisht, ky presion do të rritet akoma më shumë në pritje të ndeshjeve, për këtë nuk ka dyshime. Ne si skuadër duhet të mendojmë për fushën,” tha në fillim Goretzka.

Goretzka nuk ka dyshime as në lidhje me ndeshjen e madhe kundër “Qytetarëve”.

“Man. Siti është skuadra më e fortë me të cilën mund të përballesh në Ligën e Kampionëve. Mendoj se anglezët mund të thonë të njëjtën gjë për ne. Do të jemi shumë të përgatitur për këtë përballje”, ka përfunduar mesfushori gjerman.