Një leopard terrorizoi një qytet për më shumë se gjashtë orë pasi shpëtoi nga kafazi i tij, duke plagosur pesë banorë. Mësohet se kafsha e egër u largua nga kafazi në shtëpinë e pronarit të saj, ndërsa u pa duke kërcyer mbi një mur, për t’iu vërsulur më pas kujtdo që i dilte përpara.


Ka raportime të pakonfirmuara se një nga viktimat madje ka vdekur nga sulmi, ndërkohë që, policia dhe zyrtarët e kafshëve të egra arritën pas disa të shtënave ta neutralizonin. Sulmi i leopardit ndodhi në lagjen “DHA” të kryeqytetit pakistanez, Islamabad.

Imazhet e tmerrshme tregojnë leopardin duke sulmuar një këmbësor në rrugë përpara se të ngjitet në muret e një prone aty pranë. Një zyrtar i kafshëve të egra shihet gjithashtu duke gjuajtur në drejtim të leopardit, ndërsa imazhet e tjera tregojnë kafshën duke shkaktuar kaos në rrugë përpara se të kapej dhe të çohej në një kopsht zoologjik aty pranë.

Një i dyshuar i paidentifikuar është arrestuar sipas neneve 324 (përpjekje për të kryer vrasje) dhe 289 (sjellje nga pakujdesia në lidhje me kafshët) të kodit penal pakistanez në Stacionin e Policisë Sahala. Mbajtja e kafshëve të egra si leopardët brenda rezidencave private është e paligjshme në vend.