Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është shterur diskutimi për shkarkimin e ministrit për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti.


Diskutimi që u hap më 16 shkurt para mesnatës, përfundoi sot pas dy ditësh diskutim.

Kryesuesi i seancës plenare, Goran Misovski hapi diksutimin për shkarkimin e Xhemail Çupit, ministër pa resor nga radhët e Alternativës.

Për diskutim janë paraqitur 39 deputetë. Kuvendi për momentin është në pauzë, ndërkaq rikthehet sonte, në ora 20:30.

Deri më tani është shterur diskutimi për dy ministra – të Shëndetësisë, Bekim Sali dhe të Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Admirim Aliti.

Asnjëri nuk është shkarkuar, pasi siç ka njoftuar Misovski në seancat paraprake, votimi ndaj shkarkimit do të bëhet në mënyrë shtesë.