“Duhet të vazhdojmë me zbatimin e shpejtë të obligimeve tona duke respektuar rëndësinë kohore të aktiviteteve të ardhshme. Para së gjithash, ne duhet të përqendrohemi në tejkalimin e boshllëqeve të identifikuara në zhvillimin e aftësive tona dhe t’i harmonizojmë objektivat e caktuara për aftësi dhe duhet të jemi plotësisht të përkushtuar në zbatimin e premtimit për investime në mbrojtje”.


Këtë e bëri të ditur sot ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska në konferencën vjetore me Asociacionin e Atasheve të Mbrojtjes të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ndonëse është sfidë, ne arritëm që buxhetin tonë të mbrojtjes për vitin 2023 ta rrisim në 274 milionë euro, që është 1,85 për qind e BPV-së së Maqedonisë së Veriut. Është një hap që përshtatet në planet tona për të përmbushur premtimin për investime në mbrojtje në Samitin e NATO-s në Uells për ndarjen e 2 për qind të BPV-së për mbrojtjen dhe këtë do ta arrijmë deri në vitin 2024″, theksoi Petrovska.

Nga 274 milionë euro, siç ka bërë të ditur ajo, 33 për qind ose 88.7 milionë euro janë të destinuara për modernizim dhe pajisje, që sipas saj garanton se Ushtria jonë ka mjete për të vazhduar ritmin aktual dhe deri tani të patejkalueshëm të modernizimit.

Ajo kujtoi se gjashtë mjetet e para të blinduara të lehta JLTV Oshkosh u dorëzuan disa muaj më parë dhe njoftoi se do të vazhdojnë të prokurojnë automjete të blinduara “Strajker”, automjete të tjera të specializuara, pajisje ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, pajisje të mbrojtjes kibernetike dhe mjete të tjera që do të bëjnë ushtrinë më të aftë, ndërsa mbrojtjen tonë kolektive më të fortë.

“Duke ndjekur standardet e NATO-s dhe planet tona të brendshme, ne jemi në procesin e blerjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore me rreze shumë të shkurtër nga aleati ynë – Franca. Bashkëpunimi dypalësh i mbrojtjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës ka shënuar përparim të ri në vitin e kaluar”, tha Petrovska.

Në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve të specializuara, siç theksoi ajo, Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapa për të forcuar komunikimet e veta strategjike si mënyrë për t’u ballafaquar me dezinformatat dhe për të ndarë historinë tonë të drejtë me opinionin.