Për shkak të dyshimeve se incidentet si ai në Ohër, ku u sulmua sekretari i Klubit Bullgar janë duke u organizuar nga struktura bullgare, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë i ka kërkuar Qeverisë që t’ia ndalojë hyrjen në shtet një deputeti bullgar dhe disa individëve – shtetas të Bullgarisë.


“Fushatave të këtilla që i zbatojnë parti politike dhe individë mund t’u përgjigjemi në dy mënyra: me retorikë të kulturuar diplomatike ashtu si deri më tash dhe me deklarata provokuese që shpesh herë nuk mbeten vetëm fjalë, por nxit edhe dhunë – me siguri se nuk do të ndalojë. Por, këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe më tej. Dhe, e dyta me masa që i ndërmerr çdo shtet serioz. Propozimi im që shkon deri te Qeveria dhe të cilin e shpreha edhe në mbledhjen e KS-së është – në përputhje me dispozitat e ligjit për të huaj – t’i ndalohet hyrja në vendin tonë një deputeti në Kuvendin e Bullgarisë dhe disa individëve, shtetas të Bullgarisë për shkak të aktiviteteve që i kanë ndërmarrë më parë dhe i ndërmarrin edhe më tej në shtetin tonë”, tha Pendarovski.

Këto aktivitete sipas Pendarovskit kanë për qëllim të cenojnë sigurinë e shtetit edhe më 4 shkurt – kur do të shënohet ditëlindja e Goce Dellçevit.