Osmani zhvillon takim me ambasadorin e ri të Japonisë Ocuka

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot i pranoi kopjet e letrave kredenciale nga Ambasadori i sapoemëruar i Japonisë në Maqedoninë e Veriut, Ocuka Kazuja.


Në takim, Osmani shprehu bindjen se me angazhimin e tij Ambasadori Ocuka do të kontribuojë në thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale dhe forcimin e bashkëpunimit. Njëherit, falënderoi për ndihmën shumëvjeçare japoneze për Maqedoninë e Veriut, përmes së cilës inkurajohet zhvillimi shoqëror dhe përparimi i popullit tonë.

Gjithashtu, Osmani e theksoi rolin e rëndësishëm të Japonisë në të gjithë rajonin, gjë që konfirmohet edhe përmes projekteve të shumta rajonale në kuadër të “Iniciativës japoneze për bashkëpunim me vendet e Ballkanit Perëndimor”.

Bashkëbiseduesit konstatuan se marrëdhëniet bilaterale janë në nivelin më të lartë politik, duke theksuar përkushtimin e të dyja palëve për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe të raporteve të biznesit.