Nga sot, Kroacia është anëtare zyrtare e zonës Shengen. Monedha e saj, kuna është kthyer zyrtarisht në Euro rreth një dekadë pas hyrjes në Bashkimin Europian. Me këtë, Kroacia bëhet anëtarja e 20-të e Eurozonës dhe e 27-ta në Shengen


Në mesnatën e Vitit të Ri, u hoqën barrikadat në kufirin me Slloveninë dhe Hungarinë duke shënuar bashkimin me zonën Shengen. Ministri i Brendshëm kroat Davor Bozinovic mirëpriti natën e ndërrimit të viteve duke iu bashkuar heqjes së barrierave në kufirin Bregana-Obrezje mes vendeve teksa ngriti një dolli me shampanjë.

Me hyrjen e Kroacisë në rajonin më të madh pa kufij në botë, hiqen kontrollet kufitare me vendet e BE-së, derisa kufijtë me Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, bëhen kufij të jashtëm të BE-së.

Për qytetarët e vendeve fqinje që nuk janë pjesë të unionit – Serbi, Maqedoni e Veriut, Bosnjë e Hercegovinë, Mali i Zi, hyrja e Kroacisë në Zonën Shengen nuk sjell ndryshime në procedurën e kalimit të kufirit, për shkak se Kroacia deri tani I zbatonte rregullat e Shengenit.