Erdogani më detyroi të shikojë një video tre orëshe

Pompeo, në librin e tij i referohet vizitës së tij në Turqi në vitin 2017 si drejtori i CIA-s. Ai thotë se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, e ka detyruar të shikojë një video tre orëshe, duke rrezikuar, siç shkruan Pompeo, “shëndetin tim mendor”


Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka përshkruar në librin e tij, “Lufta për Amerikën që dua”, botuar të martën, disa pjesë nga incidentet dhe prapaskenat e takimeve të tij me udhëheqës të vendeve të ndryshme, gjatë kohës që mbante këtë pozicion, në kohën e presidencës Trump. Sipas mediave të huaja, në librin e tij tregohet edhe për takimet e zhvilluara në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit të vitit 2016. Pompeo, në librin e tij i referohet vizitës së tij në Turqi në vitin 2017 si drejtori i CIA-s. Ai thotë se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, e ka detyruar të shikojë një video tre orëshe, duke rrezikuar, siç shkruan Pompeo, “shëndetin tim mendor”. Dy vjet më vonë, në vitin 2019, kur tani ishte ministër i Jashtëm, ai rrëfen se si gjatë vizitës së tij në Ankara me zëvendëspresidentin Mike Pence, për pak shkoi aq larg sa të thyente derën (e mbyllur) të dhomës ku Pence po takohej me Erdoganin.

Presidenti turk kishte kërkuar një takim të shkurtër kokë më kokë me Pence. Takimi u pranua, por filloi të zgjasë më shumë se çduhej. Në gjysmë ore Pompeo u përpoq të hynte, por nuk u lejua. Në 50 minuta ai thotë se tentoi të hapte derën për të hyrë në dhomë, por e gjeti të mbyllur.

“Po filloja të shqetësohesha se Erdogan e kishte detyruar Pence të shikonte të njëjtën video tre orëshe”, shkruan ai. Por shqetësimet e presidentit turk ishin të ndryshme nga më parë. Zyrtarët amerikanë po përpiqeshin ta bindnin Erdogan se SHBA nuk kishte asnjë lidhje me grushtin e shtetit të vitit 2016 dhe për ta bërë këtë, ata madje hapën harta që tregonin se ku ndodheshin ushtarët amerikanë. Nga ana tjetër, Erdogan nuk e harroi predikuesin Fethullah Gylen, dikur mikun e tij dhe tani armikun e tij të përjetshëm. Pompeo shkruan se ai telefonoi vazhdimisht Shtëpinë e Bardhë dhe Trump për të kërkuar ekstradimin e tij, ndërsa protestonte për mbështetjen e SHBA për kurdët. I indinjuar nga kjo mbështetje që SHBA i jepte Gylenit, është shprehur edhe bashkëpunëtori i ngushtë i Erdoganit, Ibrahim Kalin.