Është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar granata që u hodh sot në zyrën e Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicë të Veriut, raporton Radio Kontakt Plus.


Shpërthimin e kontrolluar e ka bërë ekipi i KFOR-it i specializuar për mjete eksplozive.

Për shkak të shpërthimeve të shpeshta u mbyll një rrugë për qarkullim, derisa për shkaqe sigurie gazetarët u detyruan të kalojnë në Mitrovicë të Jugut.
Tensionet në Veri ndodhën pasi qytetarët serbë nuk lejuan sot që zyrtarët komunal të zgjedhjeve të kryejnë detyrën e tyre lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 18 dhjetor.

Lidhur me gjendjen në Veri, Policia e Kosovës ka lëshuar komunikatë, duke thënë se personat e maskuar kanë përdorur granata dore të prodhimit jugosllav.

“Referuar gjendjes në teren ju njoftojmë se dëmtime të zyrave të komisionit zgjedhor komunal në Mitrovicë Veri janë bërë nga persona/grupe të dyshuar/a të maskuar, të dhunshëm të cilët kanë përdor mjete të rrezikshme, përfshirë granata dore të prodhimit jugosllav”, thuhej në komunikatën e Policisë.