MERXHAN JAKUPI
Kam nostalgji për ju, Omar Muhiq, boshnjak, dhe Barba Perishiq, kroat, shokët e mi të pandarë nga ish-Armata Popullore Jugosllave (APJ). Më kujtohet shoku im, Barba, që kishte një dhunti për humor. Ai thoshte me qesëndi se ne jemi një “jugosllavi e vogël”. Mlladeni, që ishte një i konvertuar në jugosllav, na thoshte se të gjithë ne një ditë do të bëhemi jugosllavë dhe se hiqte buzëqeshjen nga fytyra e tij. Ishte fundi i dhjetëvjetëshit të shtatë të shekullit të kaluar. Deri atëherë gati 20 për qind ishin deklaruar si jugosllavë, madje edhe eprorët ushtarakë. Mlladeni një ditë më kishte shkruar: “I dashur, armik imi, Merxhan! Armik më quanin edhe Omari, boshnjak, dhe Barba, kroat. Mjerisht mua më mobilizuan më 1992 në frontin e Vukovarit. Shoku im, Barba ishte në anën tjetër të linjës së frontit. Ne ishim shokë të ngushtë në ushtri dhe vazhduam shoqërimin edhe pas kryerjes së obligimit ushtarak. Ne shokë të dikurshëm, në front u shndërruam në armiq dhe vrasës. Po të më dilte përpara, me siguri që do ta vrisja, sikundër që edhe ai do të më vriste mua. Pas lufte, dëgjova se shoku im nga ushtria, më vonë armiku im, ishte vrarë në luftë”.
DIALOG ME MLLADENIN
“Mlladen, është absurd që ne ish-shokët e ushtrisë, unë, si shqiptar, Omari boshnjak dhe i ndjeri Barba, një kroat, të mbetemi edhe më tej miq me një serb, sikundër me shumë serbë të tjerë”. Ai ma kthen: “I nderuar, armiku im i dashur, Merxhan! Nuk ka armiqësi të përjetshme ndër popujt. Është e vërtetë se ne serbët jemi bërë armiq, por brezat e ardhshëm do të jenë miq dhe do të jetojnë në paqe. Është një pjesë e popullit tim që është nacist dhe ksenofobë, fashizoid, që kanë përgjakur historinë. Në këtë drejtim prijnë liderë dhe politikanë, të cilët e futën popullin serb në luftë, ku bijtë e fshatarëve u mobilizuan dhe u kthyen në arkivole. Ata djemtë e tyre i kursyen dhe i dërguan në studime nëpër universitete prestigjioze të vendeve perëndimore. Këta politikanë ishin profiterë, ndërtuan vila dhe grumbulluan pasuri.
“I nderuar, Mlladen! Unë nuk kam urrejtje e as ksenofobi ndaj asnjë populli, por është fakt se shumica e serbëve ishin të indoktrinuar me projektin e “Serbisë së madhe”, duke e zëvendësuar atë së voni edhe me “Botën serbe”, që mbështetet nga ASHA e Serbisë, elita politike, Kisha Ortodokse dhe Ushtria. Politikanët, liderët serbë ende nuk kanë ndryshuar mendimin, kur është fjala për ndarjen e Republikës Serbe, Veriut të Kosovës dhe rikthimin e Malit të Zi në “botën serbe”. Pra është Serbia që e mban rajonin të trazuar”.
“I nderuar Merxhan! Serbët janë popull me elitë politike që ende mbajnë konceptet e viteve të ‘90-ta të kohës së Millosheviqit. Fëmijët tanë janë rritur, duke parë Sheshelin dhe Arkanin në TV, të cilët ishin kriminelë të luftës. Ivica Daçiqi nxit urrejtje patetike ndaj popujve fqinjë, se do t’i rikthejnë Republikën Serbe dhe Kosovën në “Serbinë e madhe”. Të gjithë liderët populistë, që nga Millosheviqi, Koshtunica, Nikoliqi, Tadiqi e deri te Vuइiqi, kanë qeverisur me dorë të hekurt dhe s’i kanë fshehur pretendimet e tyre ndaj Kosovës”.
“I nderuar Mlladen! Është absurd fakti që një pjesë e akademikëve dhe intelektualëve të tjerë në Serbi kanë nënshkruar një peticion për riintegrimin e Kosovës dhe të shqiptarëve në Serbi. Për llogarinë time kjo është një tezë utopike. Ata pretendojnë se riintegrimi do të bëhet në mënyrë paqësore dhe me kushtetutë, por nëse do të ketë pengesë për këtë opsion, atëherë do të shkohet në luftë, për t’i realizuar këto synime. Ata shpresojnë se do të ndodhin ndryshime të mëdha dhe se do të vendoset një rend i ri botëror, ku Rusia, si në kohën e Bashkimit Sovjetik, do t’i përngjet një perandorie dhe se atëherë Serbia do të mund ta aneksojë më lehtë Kosovën. Shtrohet pyetja nëse Serbia mund t’i mbajë nën okupim dy milionë shqiptarë apo do të ripërsëris skenarin e viteve të ’90-ta”.
SERBËT BALLAFAQOHEN ME KUFIRIN
“I nderuar Merxhan, unë kam përcjellë në media idenë e projektit për riintegrimin e Kosovës. Drejt të them kjo për mua ishte qesharake dhe tragjikomike, sikundër për shumicën e serbëve të moderuar. Të detyrosh një popull me dhunë që të jetë nën okupim, kjo i përket një kohe të perënduar. Brezat e rinj, serbë e shqiptarë, që kanë lindur pas luftës së viteve ’90, mes vete flasin anglisht. Ata më mirë e kanë kuptuar realitetin, sepse serbët kur vijnë e hynë në Kosovë, ballafaqohen me kufirin dhe e dinë që hynë në një shtet tjetër. Aty ata u nënshtrohen rregullave të kalimit kufitar. Merxhan miku, para disa dekadash kam lexuar në media një intervistë të publicistit kosovar, Veton Surroi, të cilit i ishte bërë pyetja nëse do të ishte e mundur që Kosova të hyjë në federatë apo konfederatë me Serbinë. Ai ishte përgjigjur se kjo është e mundur aq sa është e mundur që ish-republikat jugosllave të kthehen dhe të hyjnë në një konfederatë sllave. Shqiptarët nuk do të ktheheshin asnjëherë, sepse ata ndjenin veten të okupuar në atë shtet të përbashkët. Shteti jugosllav u themelua nën premisat e një etnogjeneze të përbashkët sllave, ndërsa shqiptarët kishin shumë divergjenca. Ata nuk i lidhte as gjuha, kodi gjenetik dhe mentaliteti kulturor. Po të arrihej në Rambuje, nën trysninë ndërkombëtare, që Kosova të hynte në federatë apo konfederatë me Serbinë, sipas standardeve demokratike, siç janë Zvicra, Belgjika etj., shqiptarët në parlamentin e atij shteti do të ishin 30 për qind, ku do të mund ta kishin presidentin apo kryeministrin nga radhët e tyre, si Rugovën, Thaçin ose Albin Kurtin. Në ASHA të Serbisë do të kishin përfaqësues nga shqiptarët, do të respektohej dygjuhësia, shqip-serbisht, edhe në Beograd, Nish e qytete të tjera, në kartëmonedha do të kishte elemente shqiptare”.
“I nderuar, Mlladen, më kujtohet që prej para dy dekadave, kur në një gazetë, diplomati suedez, Karl Bild, i dërguar i posaçëm në Ballkanin Perëndimor, kishte thënë se është absurde dhe fatale që shqiptarët e Kosovës t’i ktheheshin Serbisë. Tashmë janë shembur të gjitha urat e lidhjes”.