MERXHAN JAKUPI
Sipas më shumë studiuesve e historianëve, nacionalizmi e ka origjinën nga Revolucioni francez dhe Revolucioni industrial anglez, si ideologji dhe doktrinë në mes shek. 18 e 19, kur u formuan shtetet apo kombet. Në fillim, nacionalizmi francez ishte nacionalizëm i të drejtave dhe lirive, si dhe i formimit të identitetit kombëtar. Më vonë, nacionalizmi gjerman ishte etnogjen, superior dhe ultranacionalist. Në fillim të shek. 20, pas shpërbërjes së Perandorive Osmane dhe asaj Austro-hungareze, nga monarkitë feudale lindën dhe u formuan shtetet kombëtare. Në epokën e perandorive, si identitet i etniteteve dhe popujve, ishte gjuha dhe feja. Një ndër shkaqet që solli Luftën e Parë Botërore (LPB), ishte nacionalizmi dhe formimi i shteteve kombëtare. LPB ishte lufta mes dy popujve të mëdha: gjermanëve dhe francezëve. Formimi i shteteve kombëtare kishte rrënjët nga nacionalizmi evropian, që vazhdoi te popujt heterogjenë me etnitete, divergjenca kulturore dhe gjuhësore. Formimi i këtyre shteteve, siç ishte Spanja, me etnitetet si baskët, katalonjët, spanjollët; në Itali, Tiroli verior me shumicë të etnitetit austriak; në Belgjikë, flamanët, valonët dhe minoritetet gjermane; në Zvicër, me etnitetet gjermane, franceze dhe italiane, kanë pasur pak konflikte etnike e fetare dhe pjesa dërmuese tashmë janë anëtarë të BE-së.
SINDROMA BALLKANIKE
Pas shembjes së Perandorisë Osmane, nacionalizmi si ideologji që kishte origjinën nga Evropa, fillimi i formimit të identiteteve në kombe apo shtete ishte një kataklizëm që përcillej me luftëra të përgjakshme, vrasje masive dhe pastrime etnike. Nacionalizmi serb ka qenë si një mostër e marrë nga nacionalizmi gjerman, në fillim të shek. 20., pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore dhe kapitullimit të Gjermanisë, me Paqen e Versajës dhe me humbjen e territoreve gjermane. Pas Luftës së Dytë Botërore, nacionalizmi dhe ultranacionalizmi, apo unitarizmi, u fshi nga faqja e dheut. Populli gjerman u bë një nga popujt më pacifistë, liridashës, demokratë dhe humanë. Kësisoj, pas shpërbërjes së Jugosllavisë federale, me luftërat e viteve të ’90-ta, Serbia pësoi të njëjtin fat. Serbët mbetën të ndarë në katër shtete.
Nacionalizmi si ideologji në Ballkan vazhdoi edhe pas shembjes së komunizmit dhe mbarimit të “luftës së ftohtë”. Bullgaria dhe Rumania ishin shtete më homogjene, pa konflikte etnike dhe më shpejt u integruan në BE. Si pasojë e nacionalizmit, ishin popujt sllavë. Serbët, kroatët, sllovenët, boshnjakët dhe sllavo-maqedonasit, si popuj me divergjenca të vogla kulturore, megjithatë u shkëputën nga shteti i përbashkët, sikundër edhe shqiptarët në Kosovë që fituan pavarësinë me luftë.
Në fillim të shek. 21, në botë u themeluan tre shtete: Republika e Kosovës, Sudani Jugor dhe Timori Lindor, që po ashtu shpallën pavarësinë. Ky proces, me siguri, do të vazhdojë me formimin e shteteve apo kombeve në të ardhmen.
Gjatë pushtimit pesë shekullor të Perandorisë Osmane në Ballkan, nën sundim ishin rumunët, bullgarët dhe serbët, sidomos shqiptarët, të cilët u shkapërderdhën në më shumë shtete. Pas pavarësisë së shtetit të dytë shqiptar, Republikës së Kosovës, shqiptarët e Kosovës nuk ishin etnitet i ri kulturor gjuhësor në proces të formimit të identitetit kombëtar, siç ishin maqedonasit, boshnjakët dhe malazezët. Ata ishin një popull i ndarë në disa vilajete të Perandorisë Osmane. Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Serbia që pushtoi pjesë të shqiptarëve, si Kosovën, humbi me luftë në vitin 1999, të cilin realitet s’do ta pranojë dhe këtë shtet të ri e quan të rremë dhe krahinë jugore e Serbisë. Për shqiptarët e Kosovës, fundi fundit nuk i intereson se si do ta quajë atë Serbia.
HUMBJA E LEGJITIMITETIT
Një analist e profesor në Universitetin e Beogradit ka theksuar si hipotezë se serbët kanë ardhur në Ballkan nga Karpatet në shekullin e 7-të ose janë shpërngulur dhe dëbuar në formën e një eksodi biblik, ngjashëm si ai izraelit, kur përfundimisht u ndanë nga skllavëria e faraonëve, ndërsa profeti Musai u premtoi një tokë të zgjedhur. Serbët erdhën në tokën e premtuar, sipas këtij profesori, ndërsa shqiptarët ishin po ashtu ardhacakë nga Shqipëria e Veriut, madje mund të kenë ardhur nga ndonjë kontinent tjetër, duke zhvilluar identitetin e tyre gjatë shekujve. Ai këto i quan procese historike, kur disa popuj janë zhdukur e disa të tjerë janë formuar. Sipas tij, s’është me rëndësi kush ka ardhur i pari në këto troje, s’është e lejueshme që disa despotë e tiranë, apo elita politike, klerikë ortodoksë e pansllavistë, të kryejnë vrasje, dhunë dhe spastrime etnike ndaj një popullate të pafajshme. Ky shtet, duke menduar për Serbinë, duhet të jetë shtet i së drejtës, por tashmë e ka humbur legjitimitetin për të mbajtur në skllavëri një popull tjetër, siç janë shqiptarët. Ishte një golgotë e paparë, kur para syve të botës u dëbuan më se një milionë shqiptarë nga vatrat e tyre dhe atyre iu dogjën e iu asgjësuan kartat e identitetit.
Në fillim të shekullit 21, shqiptarët u bënë me dy shtete dhe një pjesë e territoreve të tyre ende kanë mbetur të ndarë në tri shtete fqinje. Në shtetin e ri të Kosovës, nga disa intelektualë, pati disa tentime që të krijohet një komb i ri, ai kosovar, që sipas disa analistëve ishte një përpjekje retrograde, për të penguar bashkimin e kombit dhe të dy shteteve shqiptare në të ardhmen. Disa analistë gjermanë mendojnë se pas rrëzimit të Murit të Berlinit dhe bashkimit të kombit të ndarë gjerman, po të vazhdonte edhe me tej ideologjia komuniste, këto synime të bashkimit kombëtar nuk do të realizoheshin. Kjo vlen edhe për shqiptarët, sepse kombi i ri kosovar, do të ishte një “mur Berlini”, në procesin e bashkimit kombëtar, dhe kështu do të thelloheshin edhe më tej divergjencat kulturore mes tyre.