Gjykata Kushtetuese pas shqyrtimit të kërkesës së Gjykatë Supreme, ka marrë vendim me të cilin ua njeh kontributin punëtorëve të larguar nga puna në vitet 1990.


Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga Gjykata Kushtetuese, ku thuhet se kërkesa e Supremes ishte e pranueshme.

“Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) paragrafi 2 i nenit 8 të Ligjit nr.04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti në lidhje me nën-paragrafin 2.3 të paragrafit 2 të nenit 6 të Udhëzimit Administrativ nr.09/2015 për “Kategorizimin e Shfrytëzuesve të Pensionit Kontributpagues sipas Strukturës Kualifikuese dhe Kohëzgjatjes së Pagesës së Kontributeve-Stazhit Pensional”, nuk janë në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 (Ndalimi i Përgjithshëm i Diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Supremja kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit në lidhje me Udhëzimin Administrativ të aplikueshëm dhe të kontestuar në këtë rast, sa i përket kriterit të përvojës së punës në kohëzgjatje prej 15 vitesh para 1 janarit 1999, në rrethanat historike dhe politike të viteve të ‘90-ta, përgjatë të cilave, pjesa dërrmuese e të punësuarve, ishin larguar nga vendet e tyre të punës bazuar në ligje diskriminuese.

Kushtetuesja vlerësoi se objekt i vlerësimit kushtetues në këtë rast është vetëm dispozita përkatëse e Ligjit të kontestuar në lidhje me Udhëzimin përkatës Administrativ, e që ndërlidhet vetëm me kategorinë e pensionit kontributpagues dhe jo kategoritë e pensioneve tjera të përcaktuara me të njëjtin ligj dhe as ligjet tjera të veçanta dhe të cilat përbëjnë tërësinë e skemave pensionale aktualisht të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

“Ndërsa, përkitazi me kategorinë e pensionit kontributpagues, Gjykata sqaron se i njëjti buron nga Ligji për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nr. 011-24/83, i publikuar në Gazetën Zyrtare të KSAK-së nr.26/83 dhe të cilin, Kuvendi i Republikës së Kosovës, e ka përvetësuar përmes Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti. Ky i fundit, përcakton vlefshmërinë e kësaj kategorie pensionesh vetëm për përvojën e punës deri më 1 janar 1999, duke saktësuar që për njohjen e të drejtës në këtë kategori pensionesh, qytetarët duhet të kenë stazh pensional të dëshmuar sipas ligjit të lartcekur të ish-KSAK-së”, thuhet tutje. /Betimipërdrejtësi