Nga : Urim SALIHU
Një, dy, tre…Nuk janë shifra që mësohen në lëndën e Matematikës, por janë viktima njerëzore nga vrasjet,dhuna dhe droga, në një qytet si në perëndimin e egër.Është e domosdoshme të jetosh në Tetovë , por është edhe frikë,pasiguri.Është gjithcka ,vetëm qetësi jo.Vetëm një javë është dashur që heshtja të merr fund, mbase ishte një kohë e gjatë që kjo qetësi kishte rënë.Por sapo të shkrep një armë , zhurma e saj nuk ndalet më, punon si një orë perfekte, por që në këtë rast mat kohën e mortjes , jo të jetës.Kjo është Tetova ime, e jotja , e të gjithëve që është bërë vështirë të jetosh, vështirë të mendosh të ardhmen sepse vjen dikush befas, për hiçgjë dhe ta merr jetën ose merr jetërat në heshtje.A po shkojmë drejtë një kriminalizimi të skajshëm të shoqërisë, a ka dikush që duhet të ndërrmer diçka para se gjërat të shkojnë drejtë një përkeqësimi akoma më të madh?!.Kur vret dikë, në çfarëdo rrethanash ke krijuar një konflikt më shumë, një hakmarrje më shumë, një varr më shumë.Më pas janë njerëz që mbyllin shtëpitë e tyre përgjithmonë dhe thyhen jetërat e tyre, lëndohen rëndë, shkatërrohen në tërrësi.
Vetëm dhjetë vitet e fundit japin statistika të frikshme dhe shumë të vrarë me motive të ndryshme deri në një pikë edhe të pasqaruara deri në fund.
Tetova nuk është një qytet metropol, nuk ka miliona banorë, por të tillë njerëz të lidhur prej një gjaku, shumë me njëri tjetrin të afërt, shumë të tjerë që do të qajnë më pas bashkë.Sapo të ndodhë një vepër e rëndë, më pas të gjithë e dënojmë atë, të gjithë qajmë, dëshpërohemi, të gjithë e ndjejmë deri në thellësitë tona jetën e humbur të një të riu, por askush nuk ndërrmer asgjë, rrëfimi mbyllet këtu.Janë vetëm lutjet tona që të jetë e fundit kjo që ndodhë, por dita e nesërme vjen sërish, me të njëjtën frikë, me të njëjtin ankth, ndoshta edhe me një viktimë më shumë.


Shumë netë jemi trishtuar para se të hapim banesat dhe shtëpitë tona sepse dikush mund ti ketë bastisur.Shumë shtëpi të grabitura , para të vjedhura, gjësende ari, por më shumë vjedhje se sat ë kapur si vjedhës.Shumë njerëz që më pasion janë nisur drejtë vendit ku e kemi patjetër të kthehemi pra shtëpisë, dhe ka marrë fraktura për shkak se është rrahur deri në vdekje dhe është zgjuar nga koma në mëngjesin tjetër pa e ditur ku është.Shumë të tjerë i sheh të dehur dhe disa që kanë mbushur hundët me pluhurin e bardhë .Ne i shohim sepse të gjitha ndodhin para syve tanë dhe ne shtirremi sikur nuk ka ndodhur gjë.Nuk duam të besojmë se ajo që i ka ndodhur një tjetri është larg nesh.

Frika ka rënë në një qytet ku episodet e dhunës janë shtuar.Janë shtuar edhe rrahjet brenda familjeve, dhunë ndaj fëmijëve, abuzime, por rastet mbeten rrëfime midis nesh .Duke rrudhur krahët ne vetëm presim kohën të ec dhe mendjen e kemi te fati që me keqardhje themi, e përcakton dikush tjetër.Madje me një ngushëllim poashtu themi: kështu qenka shkruar.Përtej rrugës ku jemi nisur ndoshta edhe mund të jetë udhëtimi I fundit që bëjmë sepse vrasësit edhe mund ti kemi afër.Janë shumë, tepër.