Analiza që ngjalli shumë reagime, “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” e publikuar nga Mehmet Kraja është fshirë nga faqja e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.


E publikuar para pesë ditësh, kjo analizë nuk figuron më në faqen e Akademisë. Ndonëse publikimi i kësaj analize ngjalli shumë reagime, nuk është bërë e ditur arsyeja e fshirjes së saj nga ueb faqja.

Analiza “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor” i referohej Serbisë dhe politikave të saj në Kosovë dhe në Ballkan, denoncon ashpër të gjitha veprimet subversive të shtetit fqinj, përfshirë edhe ndërhyrjet e saj në Gjykatën Speciale.

Ndaj kësaj analize ka reaguar sot edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu, Naim Tërnava, i cili këtë pamflet e vlerëson si tendencioze e qëllimkeq sa i përket fesë islame dhe në përgjithësi myslimanëve shqiptarë të Kosovës.

Po ashtu pas publikimit të analizës nga Mehmet Kraja, është kërkuar edhe dorëheqja e tij.

Anëtari i Kryesisë së PDK’së, Betim Gjoshi, ka kërkuar dorëheqjen ose shkarkimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se analizat e një akademiku shqiptar duhet të ngjallin reagime të ashpra në Serbi, e jo të trazojnë shqiptarët.