Analisti politik serb Gjorgje Vukadinoviq ka thënë se versioni i ri i planit franko-gjerman është “një paketim me përmbajtje të njëjtë por e mbështjellë pak më ndryshe, për ta detyruar Serbinë të gëlltisë pavarësinë e Kosovës dhe ulësen e Kosovës në OKB”, transmeton “Tanjug”.


Detyra e diplomatëve dhe burokratëve evropianë është të simulojnë pak iniciativa të reja, në mënyrë që ata të thonë këtu ne e kemi përmirësuar propozimin tuaj, kështu që ju nuk do ta refuzoni më, kur në fakt ata po paketojnë një asgjë të madhe në një celofan i ri”, ka pretenduar Vukadinoviq.

Lidhur me këtë, ai shtoi se nuk pret asgjë nga, siç thotë, “përmirësimet e pretenduara të planit franko-gjerman, për të cilin flet përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Josep Borrell”, por se pret “shumë probleme nga presionet”.

Vukadinoviq ka thënë se situata në Kosovë “ka qenë e tensionuar dhe ndezëse për muaj të tërë”, por shpreson se do të shmanget skenari më i keq.

“Mendoj se paralelisht me demonstrimet e forcës dhe arrogancës nga Albin Kurti, megjithatë po bëhen edhe disa veprime të tjera për ta mbajtur çështjen sa më shumë brenda kornizës që nuk nënkupton konflikt të drejtpërdrejtë dhe gjakderdhje”, ka thënë Vukadinoviq.

Ai ka shtuar se “tundimi i madh është në formën e zgjedhjeve të parapara në veri të Kosovës” dhe se shpreson që ato të mos mbahen.

“Ky do të jetë testi më i mirë nëse Kurti do të shkojë deri në fund apo nëse ka një kufi përtej të cilit nuk duhet të shkohet”, ka pretenduar Vukadinoviq.