Prej nesër, priten çmime më të ulëta për produktet bazë të ushqimit

Që nga dita e nesërme, në Maqedoninë e Veriut priten çmime më të ulëta për produktet bazë të ushqimit, kjo për shkak se kompanitë që prodhojnë produkte bazë të ushqimit do të marrin rrymë të subvencionuar nga Qeveria.


Disa kompani nga industria ushqimore, ujësjellësat dhe shkollat fillore dhe të mesme nga nesër deri më 30 prill të vitit të ardhshëm do të furnizohen me energji elektrike me çmim preferencial përmes “ESM Shitje”.

Sipas vendimit të Qeverisë, kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë si vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte të qumështit, industria e mishit dhe shpendëve do të marrin energji elektrike të subvencionuar përmes “ESM Shitje” me çmim prej 80 eurosh për megavat në orë, për shkollat fillore dhe të mesme çmimi i subvencionuar do të jetë 95 euro për megavat në orë, po aq sa për ndërmarrjet publike në fushën e ujësjellësit dhe menaxhimit të ujërave të zeza që operojnë me stacione pompimi dhe pastrimi.

Deri më 23 nëntor, afati për aplikim për furnizim të subvencionuar me energji elektrike me çmim preferencial nga 1 dhjetori, 233 shkolla publike fillore dhe të mesme nga të gjitha qytetet nga gjithsej 474 në vend, 50 ndërmarrje publike në fushën e ujësjellësit dhe menaxhimit të ujërave të zeza nga gjithsej 70, si dhe 235 subjekte, persona fizikë dhe juridikë, nga zona e sektorit ushqimor. Autoritetet njoftuan se rreth 1000 subjekte nga sektori ushqimor do të marrin energji elektrike të subvencionuar, nga të cilat 600 janë furra të vogla buke. Sipas tyre, interesimi relativisht i vogël për aplikimin për marrjen e energjisë elektrike me çmim preferencial, sipas tyre, është për faktin se një pjesë e madhe e tyre kanë kontrata të vlefshme për furnizimin me energji elektrike, e disa tashmë kanë instaluar fotovoltaikët e tyre. Mirëpo, disa prej atyre që nuk u regjistruan në kohë kanë mundësi që në ditët në vijim dhe nga 1 janari të furnizohen me energji elektrike me çmim preferencial.

Autoritetet thonë se nga 1 dhjetori, të gjitha kompanitë që mund të përdorin masën për furnizim të subvencionuar me energji elektrike me çmim prej 80 eurosh për megavat në orë do të duhet të ulin çmimet e produkteve të tyre.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski së fundi tha se masat për subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë që prodhojnë produkte bazë ushqimore janë bërë me qëllim që të ulen çmimet e këtyre produkteve për së paku 10 për qind.

“Me masën e fundit të Qeverisë kemi siguruar energji elektrike më të lirë për kompanitë që prodhojnë produktet bazë ushqimore. Rezultatet tashmë janë evidente, prodhues të caktuar kanë ulur çmimin e bukës, ndërsa vaji për gatim te disa prodhues është ulur për 40 denarë. Pres deri në 10 për qind ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në ditët në vijim. Kjo është kohë e përgjegjësisë, jo e fitimit”, tha pardje Kovaçevski.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ndërkaq, së fundi tha se dihet se çfarë vendimesh do të marrë qeveria nëse nga 1 dhjetori nuk do të ketë ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë në pajtim me komponentin apo inputin e energjisë elektrike.

“Nga 1 dhjetori duhet të shohim rezultatet në treg të çmimeve të korrigjuara të produkteve ushqimore bazë dhe në katër muajt e ardhshëm, ndërkohë që do të zgjasë situata e krizës, pres që ulja e çmimeve të tyre të vazhdojë. Ulja prej 10 për qind është realiste sipas të gjitha analizave të bëra nga Ministria e Ekonomisë dhe institucionet e tjera”, theksoi Bekteshi.

Ai bëri të ditur se Inspektorati Shtetëror i Tregut në vazhdimësi do të kryejë kontrolle te tregtarët me shumicë dhe pakicë për respektimin e masës për marzhe të kufizuara gjatë përcaktimit të çmimeve. Kontrolle shtesë, siç tha ai, priten nga 1 dhjetori.

“Për ata që nuk do të përdorin çmimin preferencial të energjisë elektrike do të pasojnë masa të tjera, të cilat do të miratohen në rast se nuk ulin çmimet. Sipas ligjit të tregtisë, ne mund të marrim masa në kohë krize për ngrirjen e çmimeve, përcaktimin e marzheve, etj. Ne i kemi listat dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut do të bëjë kontrollet e duhura”, tha Bekteshi.

Drejtori i përgjithshëm i SHA ESM, Vasko Kovaçevski, ditë më parë ka bërë me dije se për gjithsej 518 subjekte të reja, SHA ESM, nga 1 dhjetori do të duhet të ofrojë energji elektrike me çmime më të ulëta përmes “ESM Shitje”.

“Lista është dërguar në “EVN Distribucija” për të kryer procedurat e nevojshme për të filluar furnizimin të energjisë elektrike pa probleme nga 1 dhjetori me çmim prej 80 eurosh për megavat në orë për subjektet afariste nga industria ushqimore dhe 95 euro për shkollat dhe ndërmarrjet publike”, tha Vasko Kovaçevski.

Ai ka theksuar se në periudhën e kaluar kompanitë kanë aplikuar për furnizim të subvencionuar me energji elektrike, të cilat nuk janë mbuluar me vendimin e Qeverisë dhe për këtë arsye nuk janë marrë parasysh. Siç tha ai, ka nga ata me aplikime të pakompletuara dhe shtoi se do të mund t’i plotësojnë në periudhën e ardhshme dhe do të hyjnë në grupin e furnizimit të subvencionuar nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

“Për momentin nuk kemi të dhëna të sakta dhe të përcaktuara për sasinë totale të energjisë elektrike që SHA ESM përmes “ESM Shitje”” do të duhet të sigurojë për këto tre kategori të konsumatorëve. Llogaritjet janë duke u bërë tani dhe do të përgatiten në bashkëpunim me “EVN Elektrodistribucija”, tha Vasko Kovaçevski.

Për përdoruesit e rinj, siç tha ai, do të jetë e nevojshme blerja e pjesshme e energjisë elektrike, për të cilën Qeveria do të subvencionojë mjete për ESM nga buxheti i planifikuar për krizën energjetike në vitin 2022 dhe 2023.

Oda Ekonomike njoftoi pardje se kompanitë kryesore ushqimore të përfshira në masën për energjinë elektrike të subvencionuar, edhe pse kanë kërkuar, nuk do të marrin energji elektrike të subvencionuar pasi tashmë kanë instaluar fotovoltaikë.

“Ndonëse nga 1 dhjetori janë të përfshira nga masa për energjinë elektrike të subvencionuar, disa kompani nga industria ushqimore, që kryesojnë në sektorët e tyre, nuk do të mund të lidhin kontrata me ESM sepse kanë instaluar fotovoltaikë”, theksojnë nga Oda Ekonomike, por nuk e specifikojnë konkretisht se për cilat kompani bëhet fjalë.

Nga “ESM Shitje” bëjnë të ditur se kontratat për furnizim të subvencionuar me energji elektrike më të lirë nga 1 dhjetori i kanë dërguar me postë.

“ESM Shitje ” ua ka dërguar me postë kontratat e furnizimit me çmim të subvencionuar pothuajse të gjitha shkollave publike fillore dhe të mesme që kanë paraqitur aplikacione dhe kanë plotësuar kushtet, dhe për matësat e të cilave “EVN Distribucija” ka aprovuar furnizimin. Është në proces dërgimi i kontratave për personat juridikë nga industria ushqimore dhe subjekteve nga industria e ujit. Subjektet për të cilët “EVN Distribucija” nuk refuzon furnizimin e njehsorëve të tyre ose të një pjese të njehsorëve të tyre, njoftohen me telefon nga “ESM shitje”, për të marrë masa lidhur me arsyet e përcaktuara nga “EVN Distribucija”, citojnë nga “ESM shitje”.

Nga 1 janari shtojnë ata, me furnizim të subvencionuar do të kyçen të gjitha subjektet shtesë që do të regjistrohen në periudhën e ardhshme, si dhe ata që nuk kanë pasur dokumente të plota gjatë regjistrimit të parë dhe që do t’i plotësojnë ato.