“Ne kishim nevojë për këtë rezultat”, Messi deklarohet pas fitores kundër Meksikës

Argjentina shënoi fitore të rëndësishme në Kupën e Botës “Katar 2022”.


Të përzgjedhurit e Lionel Scalonit fituan kundër Meksikës, në ndeshjen e dytë në Grupin C.

Ndeshja e zhvilluar sonte në “Lusail Iconic Stadium” përfundoi me rezultatin 2:0.
Lionel Messi udhëhoqi “Albicelestet” drejt fitores, pasi shënoi golin e parë dhe asistoi te goli i dytë i shënuar Enzo Fernandez.

Shtatë herë fituesi i “Topit të Artë” pas ndeshjes tha se ishte shumë e nevojshme që Argjentina të fitonte sonte.

“Ne kishim nevojë për këtë rezultat. Duket sikur në pjesën e dytë bëmë debutimin tonë të vërtetë. Ndeshja e parë ishte e vështirë për ne. Është normale. Në ndeshjen e parë ka shumë presion dhe ne kemi shumë lojtarë të rinj dhe kjo është ndeshja e tyre e parë në Kupën e Botës. Nuk është një justifikim që nuk luajtëm mirë”, tha mes tjerash 35-vjeçari.

Argjentina pas kësaj fitore ka 3 pikë dhe renditet e dyta në grup, me vetëm një pikë më pak se kundërshtari i radhës, Polonia, që pozicionohet e para.

3 pikë ka edhe Arabia Saudite si e treta, kurse Meksika është e fundit me vetëm 1 pikë.