MOS PËRDOR TELEFON CELULAR GJATË VOZITJES SË AUTOMJETIT!


Çdo thirrje telefonike mund të pres!

Shumë njerëz nuk mund ta imagjinojnë jetën e tyre të përditshme pa përdorimin e telefonit celular, kryesisht për shkak të komunikimit më të lehtë, funksionalitetit, kryerjes më efektive të detyrave të punës, etj. Dhe vërtet, askush nuk mund ta kundërshtojë domosdoshmërinë e përdorimit të telefonit celular. Por, zhvillimi i teknologjisë dhe disponueshmëria e saj në rritje për përdorim në çdo vend dhe në çdo situatë nuk nënkupton që keni të drejtë ta bëni atë gjithmonë dhe kudo.
Në shumë situata, përdorimi i telefonit celular është i rrezikshëm, veçanërisht kur vozitni, por edhe kur ecni.

Në komunikacion, telefoni celular si shkaktar i shpërqendrimit të shoferit ndodh në 20 deri në 25% të të gjitha aksidenteve në komunikacion. Me zhvillimin e teknologjisë, kjo situatë pritet të përkeqësohet edhe më tej në vitet në vijim. Vëmendja e shpërqendruar është arsyeja e një numri të madh të personave të vdekur dhe të lënduar në aksidentet e komunikacionit, për shumë histori fatkeqe jetësore të shkruara nëpër rrugë, për fate të pikëllueshme njerëzore. Prandaj shtrohet pyetja: A ia vlen?
Statistika në nivel botëror tregon se 45% e shoferëve e përdorin telefonin celular gjatë vozitjes së automjetit, dhe sipas hulumtimeve të KRSKRR-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 63% e shoferëve përdornin telefonin celular gjatë vozitjes së automjetit. Një studim universitar në SHBA vlerëson se përdorimi i telefonave celularë gjatë vozitjes së automjetit rezulton në afërsisht 2.600 raste të vdekjes dhe 330.000 lëndime serioze çdo vit, ndërsa hulumtimet e OBSH-së tregojnë se përdorimi i telefonit celular e rrit rrezikun e aksidentit në komunikacion prej 4 deri në 9 herë.

Shtrohen pyetjet:
• Sa është e rëndësishme biseda që nuk mund të “pres” që të ndaleni në vendin e parë të sigurt ku automjeti mund të ndalet dhe të bisedoni?
• Nëse duke ikur nga rrëmuja dhe mjedisi me njerëz të shumtë, me vetëdije i lini bisedat telefonike për momentet kur do të jeni vetëm në timon?
• A jeni të vetëdijshëm për rrezikun në të cilin i ekspozoni jetën tuaj, jetën e njerëzve tuaj të dashur dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion, për faktin që nuk mund të përmbaheni nga përdorimi i telefonit celular kur jeni pas timonit?
• A e dini se të shkruarit e mesazheve gjatë vozitjes është e barabartë me vozitjen me sy të mbyllur për 6 sekonda gjatë së cilës automjeti me shpejtësi prej 60 km/h udhëton 100 metra?

PËRDORIMI I TELEFONIT CELULAR GJATË VOZITJES SË AUTOMJETIT ËSHTË I RREZIKSHËM!

Përdorimi i telefonit celular gjatë vozitjes së automjetit është i rrezikshëm, por edhe në kundërshtim me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor.

Shoferi i cili flet ose shkruan në telefonin celular gjatë vozitjes së automjetit dënohet me 40 euro në kundërvlerë me denarë.
Por, përkundër kësaj, një numër i madh i shoferëve përdorin telefon celular gjatë vozitjes së automjetit dhe në këtë mënyrë e shkelin Ligjin dhe e rrezikojnë sigurinë në komunikacion.
Nuk ka bisedë në telefonin celular, rëndësia e së cilës mund të krahasohet me arritjen e sigurt dhe me shëndet të mirë në destinacionin e dëshiruar.

Prandaj, mos përdor telefon celular gjatë vozitjes së automjetit! Çdo thirrje telefonike mund të pres!
KRSKRR-ja bën thirrje: Kur vozitni, lini mënjanë telefonin celular. Jeta, shëndeti dhe siguria le t’ju jenë gjithmonë në vend të parë.