Mehaj uron për Ditën e Forcës: Ëndrrën tonë shekullore po e jetësojmë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka uruar Ditën e Forcës.


Përmes nje postimi në Facebook, të dielën, ai ka shkruar për rrugën e shqiptarëve që të arrijnë këtu ku janë.

”Ëndrrën tonë shekullore po e jetësojmë çdo ditë, përmes ushtrisë sonë kapacitetet e të cilës po ngriten në vazhdimësi, përmes vajzave dhe djemve tanë që me fisnikëri, krenari e vullnet të hekurt bartin uniformën, emblema e së cilës do të thotë shumë për ne. Shqiponja e flamurit do të thotë historia e kombit, e përbashkëta që përtej kufijve bashkon idealet, rrënjët tona që nuk ndryshohen dhe as shkëputen ndonjëherë”, ka thënë Mehaj.
“Shumë rrugë kemi bërë për atë që do mbetet trashëgimi ndër breza, ushtri, komb dhe liri, edhe më shumë se brenda hapësirës tonë territoriale shtetërore, sepse synimet tona janë të bashkëveprojmë në familjen evropiane dhe në NATO, për paqen që duhet mbizotëruar gjithandej globit, për lirinë universale të njerëzimit”, ka deklaruar ai, duke e uruar Ditën e Ushtrisë.