Dega e Çairit nga Alternativa kërkoi edhe zyrtarisht sot dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali.


11 nënshkrime janë vendosur në iniciativën e kësaj dege për shkarkimin e ministrit.

Ish shefi i kabinetit të ministrit Sali, Meriton Civuli tha se shqetsimin në fjalë ia kanë bërë të ditur edhe kryetarit të partisë por se nuk ka pasur veprim deri më tani nga ana e tij.

Më poshtë e gjeni reagimin e Degës së Çairit:

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetar,

Sot po ju drejtohemi juve në mënyrë publike, nëpërmjet kësaj pres konference, pasiqë disa muaj me radhë nuk kemi përgjigje nga kryetari i partisë, edhe pse në mënyrë të detajuar ia kemi parashtruar të njëjtat shqetësime.

Jemi mbledhur që të shprehim shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për mospërmbushjen e objektivave partiake nga ana e ministrit të shëndetësisë nga rradhët tona. Ishte e udhës që reagimi i parë të vijë nga dega ku ministri është propozuar, por sigurisht që ky është shqetësim i të gjitha strukturave në nivel republikan.

Me indinjatë të thellë ju njohtojmë se të gjitha pikat të cilat na përkufizojnë si ALTERNATIVË janë shkelur nga ana e ministrit Bekim Sali, gjë që na shtyen të reagojmë deri te kryetari i partisë.
Sipas nenit 2 të statutit të partisë, ajo që na bënë Autentik është se profilin tonë e kemi ndërtuar konform nevojave të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Autokton ngaqë jemi krijuar nga kapacitete vendore shqiptare të Maqedonisë së veriut dhe Autonom jemi subjekt në vete dhe i pavarur nga çdo ndikim i brendshëm apo i jashtëm.

Duke dashur që ta mbrojmë imazhin e partisë si dhe besën e dhënë votuesve tanë në veçanti e gjithë shqiptarëve në RMV në përgjithësi, reagojmë fuqishëm për inkompetencën dhe impotencën e ministrit në mosrealizimin e synimeve tona politike nga ana e tij.
Andaj, ne anëtarët e poshtëshenuar të organit më të lartë partiak- Kuvendit qendror që vijmë nga dega e Çairit, në emër të bërthamës partiake, të aktivistëve dhe në emër të kauzës që kemi promovuar tash e sa vite reagojmë për çështjet si vijon:

1. Mosmarrja e dy drejtorive në klinikat Universitare dhe kryetarin e bordit drejtues në Fondin Shëndetësor, që na takonin sipas marrëveshjes politike që para gati një viti, vende këto ku do mundet të realizojmë politikat tona shëndetësore në vepër.

2. Mosavancimi i kuadrove shqiptare tash e dhjetë muaj. Asnjë shef reparti, motër kryesore, vendim i dhënë mjekëve me kontratë pune etj

3. Përqindja e punonjësve shqiptarë sipas balancuesit që lë shumë për të dëshiruar.

4. Asnjë plan e projekt konkret për investime kapitale në klinikat dhe ambulancat në vendbanimet shqiptare.

5. Mungesa e një iniciative serioze për reformim të Ministrisë konform nevojave dhe mangësive sistemore të cilat prekin direkt qytetarët, si pacientët, punonjësit shëndetësorë si dhe sektorin privat që drejtpërdrejtë ka të bëjë me sistemin shëndetësor.
Mospërfillja e kërkesave të bazës, neglizhimi dhe injorimi i organeve partiake, mospasja konsideratë për politikat kadrovike, strategjisë në sferën akademike, refuzimi i këshillave nga kuadrot mjekësorë që gravitojnë rreth subjektit tonë, të gjitha këto akoma më shumë shtojnë indinjatën dhe revoltën tonë.

Siç e theksuam edhe në fillim, për të gjitha këto dhe shumë vërejtje tjera lidhur me punën dhe sjelljen e pahijshme të një funksionari që buron nga rradhët tona, tash e disa muaj është i njohtuar dhe Kryetari i partisë, i cili akoma asgjë nuk ka ndërmarë në këtë drejtim.

Andaj apelojmë deri te Kryetari i partisë konform kompentecave që ka, dhe obligimeve me të cilat e ngarkon Statuti i partisë që në afat prej 10 ditësh të inicojë shkarkimin e Ministrit përndryshe përgjegjësia për hapat e mëtutjeshme, dëmet dhe pasojat në parti do bien ekskluzivisht mbi të.