Kryetari i këshillit gjyqësor i cili udhëheqë lëndën për aksidentin me autobusin e Durmo Tours në Llaskarcë, sot ka realizuar takim me përfaqësues dhe familjarë të të dëmtuarve në rastin në fjalë.


Siç njoftojnë nga Gjykata Penale, ato pajtohen me fmailjarët se ka ngecje në super ekspertizën e kësaj lënde, respektivisht të aksidentit, dhe për këtë nuk ka faj gjykata.

Nga Gjykata thonë se deri tani madje 10 herë kanë dërguar lutje urgjence deri te byroja për super ekspertizë që super ekspertiza të përfundojë në afat sa më të shpejtë kohor.

“Për këtë arsye, të dëmtuarit hollësisht dhe me të gjitha njoftimet me shkrim dhe urgjente, janë njoftuar për të gjitha veprimet që ka ndërmarrë gjykata gjatë vitit të kaluar për marrjen me kohë të superekspertizës nga Byroja kompetente për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila është e nevojshme për përfundimin e procedurës së provave dhe marrjes së aktgjykimit të shkallës së parë”, thuhet në kumtesën e Penales.

Gjykata kështu ka vendosur që nëse deri më datën 5 dhjetor nuk e përfundojnë dhe ta dorëzojnë super ekspertizën, gjykata do të detyrohet të shfrytëzojë të drejtën për gjobë me të holla për byronë për ekspertiza gjyqësore, në përputhje me nenin 237 paragrafi 3 nga KP.