Në zonën paralel me kazermën “Erebinë” në Zhelinë të Tetovës mëngjesin e sotëm në rrjedhat e lumit Vardar është gjetur një trup i pajetë. Vendi është një kilometër larg nga vendi ku ka ndodhur aksidenti i 22-vjeçarit nga Kumanova, i cili ra në lumin Vardar para pesë ditëve. Burime nga policia për Tetova Sot thanë se ka gjasa që të jetë kufoma e djalit 22 vjeçar nga Kumanova, megjithatë ende nuk mund të konfirmojnë zyrtarisht pa u kryer identifikimi i plotë.

“Kufoma e gjetur është e gjinisë mashkull. Pritet që me urdhër të Prokurorit trupi të nxirret nga uji dhe pas identifikimit bashkë me familjarët, Prokurori të vendosë nëse do të kryhet autopsi apo jo”, tha zëdhënësi i SPB-Tetovë Fatmir Rexhepi.

Para pesë ditësh një 22-vjeçar nga Kumanova ra me makinë të tipit “Golf4” në lumin Vardar, në zonën e Zhelinës në Tetovë. Kur makina u nxor nga uji, nuk u gjet askush në të. Pas kësaj vijuan kërkimet në të cilat përveç organeve kompetente u kyçën edhe familjarë dhe banorë të zonës.