Katër ditë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli urdhrin për të mobilizuar qindra mijëra burra për të luftuar në Ukrainë, Aleksandr Koltun, 35 vjeç, baba i gjashtë fëmijëve, shkoi në zyrën lokale të rekrutimit në qytetin Bratsk të Siberisë dhe u paraqit për shërbim.


Ai dhe disa rekrutë të tjerë u dërguan po atë ditë në Novosibirsk, për përgatitje të mëtejshme për dislokim.

Nëntë ditë më vonë, të afërmit e tij thanë se ai ka vdekur.

“Nusja ime… më tha. Ajo më thirri duke qarë në mes të natës dhe më tha se Sasha [Aleksandr] ka vdekur”, tha nëna e tij, Yelena Gudo.

Rusia po vazhdon përpjekjet e saj për mobilizim ushtarak. Dhjetëra mijëra rusë, nëse jo qindra mijëra, po thirren për këtë proces.

Sipas të gjitha dëshmive, procesi është kaotik dhe po zhvillohet pa plan.

Ushtarët e sapomobilizuar – të njohur në gjuhën ruse si “mobiki” – kanë raportuar se janë lënë pa ushqime dhe ujë, derisa kanë pritur urdhrat; videot kanë treguar oficerë të logjistikës që u thonë rekrutëve të rinj t’i blejnë vetë pajisjet e tyre, ose t’i marrin furnizimet për ndihmë të parë nga shtëpitë e tyre.

Ushtarët kanë filluar të postojnë video në rrjetet sociale ruse, ku ankohen për kushtet dhe mungesën e organizimit.

Gjatë procesit është parë edhe një numër i vogël viktimash, por që është në rritje.

Sipas raporteve të mediave dhe aktivistëve, së paku 16 njerëz kanë vdekur prej se Putin ka shpallur mobilizimin e pjesshëm ushtarak, më 21 shtator.

Shumë nga vdekjet janë raportuar si vetëvrasje. Të tjerat, si ajo e Koltunit, janë të pashpjegueshme. Të afërmit e tij druajnë se nuk do ta zbulojnë kurrë shkakun e vdekjes së tij.

“Se çfarë ka ndodhur në të vërtetë atje, ne ende nuk e dimë”, tha Gudo për Shërbimin Siberia Realities të Radios Evropa e Lirë.

“Të gjitha nënat duhet të mendojnë përpara se t’i dërgojnë djemtë e tyre atje”
Koltun dhe gruaja e tij, Galina, sipas të afërmve të tyre që folën për REL-in, po rrisnin së bashku gjashtë fëmijë në një apartament njëdhomësh. Ky apartament i ishte dhënë Galinës pa pagesë nga Qeveria ruse, meqë ishte jetime.

Katër nga fëmijët e tyre ishin nga martesa e parë e Galinës – më e vogla një vajzë 16-muajshe.

Koltun më herët ka punuar si roje e sigurisë, ndërsa, më vonë, ai dhe nëna e tij kanë mbledhur para për të investuar në një dyqan këpucësh në Bratsk – qytet industrial me 224.000 banorë në brigjet e lumit Angara.

Ai gjithashtu ka shërbyer në ushtri – në Forcat Ajrore – çfarë e ka bërë kandidat për mobilizim ushtarak.

Sipas urdhrit të Putinit, mobilizimi përfshin të gjithë rezervistët dhe ata që kanë përvojë në shërbimin ushtarak.

Koltun u paraqit në zyrën lokale të rekrutimit më 25 shtator, për të dorëzuar letrat e tij.

“Nuk doja ta lija të shkojë”, tha Gudo, nëna e Koltunit, për Radion Evropa e Lirë.

“I thashë: bir, ti ke një familje kaq të madhe, me kë do të jenë ata? Por tha se sa më shpejt që të largohet, aq më shpejt do të kthehet”.

“Të gjitha nënat duhet të mendojnë përpara se t’i dërgojnë djemtë e tyre atje”, u shpreh ajo.

Anastasia Pestova, e cila tha se është mike e familjes, i tha Radios Evropa e Lirë se të gjithë të afërmit dhe miqtë e Koltunit ishin kundër vendimit të tij për të dalë vullnetar.

“Nuk mund të thuash se ai iu bashkua ushtrisë për shkak të parave. Ata nuk kishin nevojë për to, kishin makinë të mirë dhe të madhe. Si nëna, ashtu edhe gruaja, natyrisht, u përpoqën ta dekurajojnë atë. Kishin frikë për të”, tha Pestova.

Koltun thirri të afërmit e tij nga Novosibirsku, ku ai dhe burrat e tjerë nga Bratsku ishin dërguar për përgatitje dhe stërvitje të mëtejshme.

Gudo tha se djali i saj mori 7.000 rubla [rreth 112 dollarë] me vete në Novosibirsk, por kur ai telefonoi më 2 tetor, tha se nuk kishte më para.

Ai tha se njerëz të paidentifikuar shisnin vodkë “të keqe” atje dhe se rekrutët po pinin shumë. Ajo tha se Koltun i tha se nuk ka pirë.

“Por, çfarë dreqin është duke ndodhur atje?”, u pyet ajo.

Kur telefonoi, “ai tha se është një rrëmujë totale”, tha Gudo.

“Të gjithë janë të dehur, nuk na kanë dhënë uniforma, nuk kemi ushqim”, tha Gudo, duke kujtuar fjalët e të birit.

“Ai tha se po hante vetëm atë që kishte marrë nga shtëpia. Si është e mundur që kjo të ndodhë në ushtri?”, u shpreh ajo.

Gudo tha se më 3 tetor, familja mori një fotografi të Koltunit nga Novosibirsku, përmes WhatsApp-it, nga një mik që ishte mobilizuar bashkë me të. Në fotografi, tha ajo, Koltun shihet i ulur në beton, i strukur nga dhimbjet, duke pritur ambulancën.

“Së voni, ai është diagnostikuar me hernie, por besonte se kjo nuk do ta pengonte që të shërbente. Ai nuk brengosej për gjëra të tilla. Por, unë nuk mund të besoj se nuk ka pasur komision mjekësor gjatë mobilizimit”, tha Gudo.

Gudo tha se as ajo dhe as nusja e saj – gruaja e Koltunit – nuk morën ndonjë njoftim zyrtar apo shpjegim nga bordi rekrutues për vdekjen e tij.

Gudo tha se zyrtarët u kanë thënë se trupi i djalit do të kthehej nga Novosibirsku në Bratsk këto ditë dhe se u është dhënë një faturë prej 180.000 rublash [2.900 dollarë] për koston e transportit.

Zyrtarët e qytetit janë ofruar për kompensimin e kostos së transportit, tha ajo.

“Nuk kemi ende certifikatë të vdekjes. Duket se ka pasur sulm në zemër, por nuk ka pasur probleme me zemrën”, u shpreh ajo.

“Ai nuk mund të ecte vetë”
Rastet e viktimave kanë zvogëluar besimin në sistem dhe kanë shtuar dyshimet për qëllimet e luftës në Ukrainë.

Denis Kozlov, 44 vjeç, ishte në grupin e parë të burrave të mobilizuar nga qarku Argajshski, në rajonin qendror të Çeliabinskut, më 27 shtator.

“Ne nuk i rezistuam planit, sepse Denisi ëndërronte të bëhej ushtarak që nga fëmijëria. Ai u diplomua në shkollën e tankeve në Çeliabinsk, shërbeu në Ulan-Ude për një kohë të gjatë”, tha nëna e tij, Zoya, për Radion Evropa e Lirë.

Kozlov kishte probleme me njërin gju, por, megjithatë, u paraqit në zyrën e rekrutimit, ku dorëzoi edhe të dhënat e tij mjekësore.

“Por, aty nuk kishte komision mjekësor dhe ai u fut në autobus së bashku me dokumentet e tij mjekësore”, tha nëna e tij.

Tri ditë më vonë, sipas saj, Kozlov u kthye në shtëpi me autoambulancë.

“Kam vrapuar te fqinjët, duke kërkuar ndihmë për ta nxjerrë Denisin nga autoambulanca. Ai nuk mund të ecte vetë. Ai ka qenë i vetëdijshëm, por as babai im dhe as unë nuk e kemi njohur menjëherë”, tha Zoya.

Kozlov vdiq jo shumë kohë më vonë dhe nëna e tij dyshon se ai nuk vdiq nga shkaqet natyrore.

“Hunda e tij ka qenë e thyer kur e kanë sjellë. Të gjithë fqinjët e kanë parë. Dhe stomaku i tij ka qenë i kaltër. Jam e sigurt se ai është rrahur atje dhe atë shumë keq. Por, nuk mund të dëshmoj asgjë. Unë jetoj këtu dhe e di se si do ta ‘hetojnë’”, tha Zoya.

“Unë nuk kam asnjë copë letër për të vërtetuar se djali im është rrahur dhe nuk ka vdekur nga sëmundja”, shtoi ajo.

Kozlov u varros më 3 tetor, tri ditë pas kthimit në shtëpi.

“Gabimet duhet të korrigjohen”
Më 26 shtator, vetëm pesë ditë pas shpalljes së mobilizimit dhe pas raporteve në rritje për procedura të paorganizuara, Putin pranoi publikisht se ka probleme me procesin.

“Gjatë këtij mobilizimi, po lindin shumë pyetje. Të gjitha gabimet duhet të korrigjohen dhe të parandalohen në të ardhmen”, tha Putin gjatë një takimi të Këshillit të tij të Sigurimit.

“Për shembull, po mendoj për baballarët e shumë fëmijëve, ose njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike, ose ata që tashmë e kanë kaluar moshën e rekrutimit”, u shpreh lideri rus./REL