Bashkëkryetarët e grupit të çështjeve shqiptare në Kongresin amerikan, paraqitën sot në Dhomën e Përfaqësuesve një projekt-rezolutë ku dënohen me forcë sulmet kibernetike të Iranit ndaj Shqipërisë .

Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

“Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, thotë ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë.

Projekt-rezoluta, tekstin e së cilës e ka parë Zëri i Amerikës, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike.

Më 9 shtator, Shtetet e Bashkuara njoftuan për vendosjen e sanksioneve ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, përfshirë sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Sulmi kibernetik i Iranit kundër Shqipërisë shpërfill normat e veprimeve të përgjegjshme shtetërore në kohë paqeje në hapësirën kibernetike, ku përfshihet norma për të mos dëmtuar infrastrukturën kritike që ofron shërbime për publikun,” tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Zbulimin Financiar, Brian E. Nelson.