“Sindroma e Sweet”, e quajtur edhe dermatoza akute febrile neutrofile, është një gjendje e pazakontë e lëkurës. Shkakton ethe dhe një skuqje të dhimbshme të lëkurës që shfaqet kryesisht në krahë, fytyrë dhe qafë.


Shkaku i sindromës Sweet nuk dihet, por ndonjëherë shkaktohet nga një infeksion, sëmundje ose mjekim. Mund të ndodhë edhe në disa lloje të kancereve.

Trajtimi më i zakonshëm për sindromën Sweet janë pilulat kortikosteroide.

Simptomat
Shenjat dhe simptomat e sindromës Sweet përfshijnë:

• Ethe
• Puçra të vogla të dhimbshme të kuqe në krahë, fytyrë, qafë ose shpinë
• Puçra që rriten shpejt në madhësi, duke u përhapur në grupe të dhimbshme deri në 2,5 centimetra në diametër

Shkaqet
Në shumicën e rasteve, shkaku i sindromës Sweet nuk dihet. Gjendja ndonjëherë shoqërohet me kancere të gjakut, si leucemia, ose tumore të ngurta, si kanceri i gjirit ose i zorrës së trashë. Mund të ndodhë gjithashtu si një reagim ndaj një medikamenti.

Faktorët e rrezikut
• Gjinia. Në përgjithësi, gratë kanë më shumë gjasa të kenë sindromën Sweet sesa burrat.
• Mosha. Megjithëse edhe të moshuarit dhe foshnjat mund të zhvillojnë sindromën e Sweet, kjo gjendje prek kryesisht personat midis moshës 30 dhe 60 vjeç.
• Kanceri. Sindroma e Sweet ndonjëherë lidhet me kancerin, më së shpeshti me leuçeminë, por edhe me kancerin e gjirit apo të zorrës së trashë.
• Probleme të tjera shëndetësore. Sindroma e Sweet mund të pasojë një infeksion të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe shumë njerëz raportojnë se kanë simptoma të ngjashme me gripin përpara se të shfaqen skuqjet. Sindroma e Sweet mund të shoqërohet gjithashtu me sëmundje inflamatore të zorrëve.
• Shtatzënia. Disa gra zhvillojnë sindromën e Sweet gjatë shtatzënisë.
• Ndjeshmëria ndaj medikamenteve. Sindroma e Sweet mund të rezultojë nga një ndjeshmëri ndaj medikamenteve të caktuara, faktorin stimulues të kolonisë së granulociteve, antibiotikët dhe disa medikamente anti-inflamatore josteroide.

Spitali Amerikan, përqafoje jetën!