Llokvenec: Më 29 tetor fillon ndërtimi i dy akseve të para nga Kumanova deri në Bellakoc

Më 29 tetor të këtij viti zyrtarisht do të shënohet fillimi i ndërtimit të dy akseve të para të hekurudhës së Korridorit 8 – nga Kumanova deri në Bellakoc dhe nga Bellakoci deri në Kriva Pallankë, ndërsa punët duhet të finalizohen deri në fund të vitit 2025, për çka janë siguruar të gjitha mjetet e nevojshme dhe ka përfunduar shpronësimi i tokës.


Siç informoi në takimin e sotëm me gazetarët drejtori i “HRMV Infrastrukturë”, Hari Llokvenec, aksin nga Kumanova deri në Bellanoc, në gjatë prej 31 kilometrash, do ta ndërtojë konzorciumi “Shtrabak”, i përbërë nga kompani prej më shumë shteteve. Koha projektuese për këtë aks është përcaktuar në 24 muaj, mirëpo, bën të ditur ai, nga vetë kompania ka paralajmërim se do të mbaronin punën në afat prej 18 muajve. Pjesën e dytë do ta punojë kompania turke “Gjylermak” dhe koha projektuese për realizimin e këtij projekti është parashikuar të jetë në afat prej 36 muajve. Dy kompanitë do t’i fillojnë punët në terren më 18 tetor.

“Kjo do të thotë se deri në fund të vitit 2025 ne do t’i kemi të përfunduar dy fazat e hekurudhës deri në Republikën e Bullgarisë, deri në Kriva Pallankë”, tha Llokveneci, duke shtuar me këtë rast se 54 për qind e aksit të parë është ndërtuar tashmë.

Sa i përket aksit të tretë nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë, drejtori informon se në fazën përfundimtare është përgatitja e dokumentacionit të tenderit, që do të duhej ta publikojë më së voni deri në fillim të vitit 2023 dhe përzgjedhja të përfundojë deri në fund të vitit të radhës, kur do të duhej të shënohet edhe fillimi i ndërtimit.

“Koha projektuese për përfundimin e kësaj pjese të hekurudhës është katër vite dhe ju siguroj se këtu nuk është çështja nëse mundemi. Për shkak të kushteve të BE-së dhe për shkak të nevojës që të tregojmë kapacitetin tonë, gatishmërinë tonë për ta mbaruar atë, ne duhet të fillojmë realizimin e kësaj pjese të hekurudhës drejt Bullgarisë deri në fund të vitit 2023. Duke marrë parasysh se koha e parashikuar për ndërtim të kësaj pjese është katër vite, do të thotë se deri në fund të vitit 2027 ne do të kemi rutë të përfunduar drejt Bullgarisë. Në mënyrë që të mbërrijë treni deri në Sofje ose nga Sofja në Shkup është e nevojshme që edhe kolegët tanë nga pala bullgare të mbarojnë punën e tyre. Kemi premtim me projeksionet e tyre se ata do ta mbarojnë punën e tyre deri në vitin 2027. Kjo do të thotë se thjeshtë jemi të kompletuar në punën tonë dhe plotësohemi në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm infrastrukturor”, theksoi Llokveneci.

Ai siguron se afatet do të respektohen, duke marrë parasysh se janë përmbushur të tre parakushtet – të siguruar me mjete, me ndihmë të madh nga BE-ja dhe mjetet e grantit që i kemi marrë nga Bashkimi, si dhe nga BERZH-ja me mbështetje të zyrës së kësaj banke në Shkup. Së dyti, sipas Llokvenecit, në raport me trashëgiminë kulturore ose arkeologjinë, nga institucionet relevante shtetërore është vërtetuar se në vetë trasenë e hekurudhës nuk ka vende të mëdha arkeologjike dhe nekropola që do ta kishin penguar ose ngadalësuar realizimin e këtij projekti.

“Për punën e tretë dhe shumë të rëndësishme – shpronësimin. Për herë të par mund të informoj opinionin maqedonas se para fillimit të vetë ndërtimit “Hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura” njëqind për qind e ka përfunduar shpronësimin dhe ai nuk do të paraqesë kërcënim për rrjedhën e mëtejshme të realizimit të këtij projekti. Punën e katërt mund ta përmendim lirisht, ajo është cilësia dhe përkushtimi i ndërmarrjeve realizuese për të cilën shpresoj se i kemi përzgjedhur të vërtetët dhe se bëhet fjalë për kompani me kapacitet me dëshirë edhe të dëshmohen para tregut evropian se janë të gatshëm të realizojnë projekt të këtillë dhe me të gjitha këto parakushte nga ana jonë jam i bindur se edhe ata do t’i përgjigjen sfidës së kohës në realizimin e këtij projekti”, shprehet LLokveneci, i cili shton se për dy akset e para të hekurudhës Kumanovë deri në Kriva Pallankë janë zgjidhur 1500 lëndë për shpronësim.

Ai paralajmëroi se më 11 tetor për herë të parë si përfaqësues të një vendi joanëtar të BE-së, që rastësisht përputhet me festën tonë shtetërore – Ditën e kryengritjes popullore të popullit maqedonas, në Brukse “HRMV – Infrastruktura” do të kenë mundësinë që para eurodeputetëve t’i promovojnë projektet infrastrukturore maqedonase në hekurudhën.

“Nga njëra anë ta promovojmë atë që është punuar deri tani dhe në të njëjtën kohë të flasim edhe për të gjitha planet që janë në drejtim të përmbushjes së strategjisë evropiane të lidhur me infrastrukturën hekurudhore”, theksoi Llokvenec.

Sa i përket krahut perëndimor të Korridorit 8 drejt Republikës së Shqipërisë, në gjatësi prej 63 kilometrave, respektivisht aksit nga Kërçova deri në Lin, Llokveneci sqaroi se për shkak të vërejtjeve nga UNESKO, do të bëhet ndryshim i trasesë në pjesën drejt Linit, për shkak të rreziqeve potenciale ndaj Liqenit të Ohrit nga ndërtimi i infrastrukturës logjistike të hekurudhës. Për shkak të rëndësisë së saj strategjik, pritjet janë që ky aks, të jetë i përfunduar deri në vitin 2030 dhe nga 530 milionë eurot e nevojshme 50 për qind të sigurohen në formë të grantit nga BE-ja.

“Me përfundimin e krahut perëndimor, në fakt ne do ta përfundonim gjithë Korridorin 8 dhe kjo është me rëndësi të jashtëzakonshme për shtetin tonë meqë në këtë mënyrë me ndërtimin e plotë të Korridorit 8 dhe lidhjes së Durrësit si Det Adriatik ose Detit Mesdhetar me portin në Burgas dhe Varnë në Detin e Zi, me ndërlidhjen e rajonit mesdhetar me atë të rajonit të Detit të Zi, e ndërtojmë Bosforin kontinental të Ballkanit edhe në Evropë. Puna e dytë, me përfundimin e pjesës sonë të Korridorit 8, ne kontribuojmë drejt krijimit të korridorit me të cilin do të lidhen tri shtete të NATO-s dhe puna e tretë shumë e rëndësishme është se do të kontribuojmë që përmes këtij korridori të marrim pjesë në promovimin e Agjendës së gjelbër evropiane, meqë vetëm përmes hekurudhave ju mund të bartni 1500 tonë mall me një frymë dhe me ndotje minimale të mjedisit jetësor që në këtë moment është me rëndësi të jashtëzakonshme”, thekson Llokveneci.

Në këtë kontekst, shton ai, është shumë i rëndësishëm edhe bashkimi i Maqedonisë së Veriut drejt iniciativës “Tre dete”.

“Hekurudha është gjë shumë e rëndësishme e lidhur me iniciativat dhe agjendat evropiane dhe vetëm ne dhe Republika e Shqipërisë, mungojmë në iniciativën “Tre dete”, shumë intensive në këtë moment nga BE-ka, e kjo është lidhja e Detit Baltik me Detin e Zi dhe atë Adriatik. Në këtë mënyrë tregojmë jo vetëm se jemi pjesë territoriale gjeografike e BE-së, por edhe me të gjitha aktivitetet tregojmë se kemi kapacitet se jemi krah për krah me miqtë tanë evropianë dhe mund të marrim pjesë në realizimin e të gjitha projekteve të parashikuara nga BE-ja”, është decid Llokveneci.

Ndryshe, Bullgaria për Korridorin 8 ka marrë 1,8 miliardë euro nga BE-ja e cila do ta financojë tërësisht ndërtimin e trasesë së re nga Sofja drejt Gjueshevës.

Sipas dokumentacionit të projektit, në aksin e parë të hekurudhës nga krahu lindor i Korridorit 8 duhet të ndërtohen stacione hekurudhore në Kumanovë të Re, Shupli Kamen dhe Ballakoc, si dhe gjashtë vendqëndrime, në të dytën do të ketë stacione në Kriva Pallankë dhe Ginocdhe tre vendqëndrime, derisa në të tretën, përgjatë 24 kilometrave janë projektuar 25 tunele dhe 51 ura.

Projekti për hekurudhën drejt Bullgarisë ka filluar në vitin 1994, ndërsa punët për herë të parë janë stopuar në vitin 2004. Vazhduan një dekadë më vonë, në mars të vitit 2014, por nuk është respektuar afati i vendosur për përfundimin e punëve deri në vitin 2016, për shkak të, sipas arsyetimeve zyrtare, problemet e karakterit pronësor-juridik. Aktivitete në terren nuk ka nga qershori i vitit 2020, kur realizuesi i atëhershëm “Vibe” gjerman e ndërpreu Marrëveshjen në mënyrë të njëanshme.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vitin e kaluar në janar shpalli tender për përzgjedhjen e realizuesit të hekurudhës, ndërsa procedura është rrumbullakuar muajin e kaluar, kur u nënshkruan marrëveshje me “Shtrabak”-un dhe “Gjylermak”-un. Pjesë e tenderit është edhe marrëveshja për rikonstruksion të hekurudhës nga Nogaevci deri në Negotinë në Korridorin 10, në gjatësi prej 31 kilometra, ndërsa realizimin e investimit prej 4,8 milionë euro e mori „Shtrabaku”. Konstruksioni i përgjithshëm financiar për tre marrëveshjet arrin mbi 200 milionë euro.