Grubi takon eurodeputetin Kyuchyuk, flasin për progresin e RMV-së drejt BE-së, reformat dhe ndryshimet kushtetuese

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Sistem Politik, Artan Grubi gjatë pjesëmarrjes së tij në konferencën ndërkombëtarë “Women Peace Security” në Prishtinë, sot ka zhvilluar takim dhe me eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk.


Siç njofton Grubi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, temë diskutimi ka qenë raporti i KE-së për progresin e Maqedonisë së Veriut, reformat që priten të realizohen si dhe ndryshimet kushtetuese.

Postimi i plotë:

Me eurodeputetin Ilhan Kyuchyuk u takuam sot në konferencën ndërkombëtare “Women Peace Security” në Prishtinë dhe si në çdo bisedë tonën shprehëm rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit politik dhe vazhdimësisë së punës në të gjitha segmentet për të avancuar proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Diskutuam mbi Raportin e Komisionit Europian për progresin e Maqedonisë së Veriut duke konstatuar hapat e bëra përpara dhe seriozitetin e sfidave të reja të procesit të skriningut dhe përforcimit të raporteve të mira fqinjësore me Bullgarinë.

Gjithashtu, shqyrtuam edhe planet për reformat dhe ndryshimet kushtetuese për të vijuar rrugëtimin europian.