Rusia dhe Kina po bëjnë lëvizje për të rrëzuar nga froni dollarin amerikan dhe rëndësinë e tij në sistemin financiar global.


Supremacia e dollarit amerikan dhe lidershipi global i SHBA-së janë vënë në pikëpyetje gjithnjë e më shumë që nga kriza financiare globale e vitit 2008.

Fakti që kjo krizë nisi në Shtetet e Bashkuara ngriti shqetësime në pjesë të tjera të globit rreth besueshmërisë së udhëheqjes amerikane dhe racionalitetin e ruajtjes së pozicionit hegjemonist të dollarit në sistemin financiar global.

Kjo krizë krijoi gjithashtu një mundësi të re për fuqitë në rritje për të kërkuar status dhe përfaqësim më të madh në qeverisjen globale.

Dollari dhe nafta
Javën e shkuar, perspektiva e diskutuar prej kohësh për fundin e hegjemonisë së dollarit amerikan në tregjet globale të naftës dhe gazit hodhi një tjetër hap drejt realizimit me njoftimin e gjigantëve rusë dhe kinezë të hidrokarbureve, Gazprom dhe China National Petroleum Corporation (CNPC).

Gjigantët rusë dhe kinezë ranë dakord të kalojnë pagesat për furnizimet me gaz dhe naftë në rubla dhe juan në vend të dollarit amerikan që deri tani është konsideruar edhe si valuta e naftës apo petrodollar, pasi prej kohësh nafta është tregtuar ekskluzivisht në dollarë.

Kina e ka parë gjithnjë pozicionimin e monedhës së saj Yuan si një pasqyrim i rëndësisë së saj gjeopolitike dhe ekonomike në arenën globale.

Ndërsa Rusia, e përballur me sanksione që synuan shkatërrimin e saj ekonomik, ka edhe më shumë arsye për t’u hakmarrë.

Nuk duhet harruar, se pavarësisht sanksioneve dhe shkëputjes së saj nga SWIFT, rubla ruse ka qenë monedha më e fortë në botë këtë vit, duke fituar mesatarisht mbi 30% të vlerës në një kohë tejet të shkurtër. Ky është edhe një tjetër tregues i vrullit me të cilin Putin ka vendosur të reagojë kundër sanksioneve që u vendosën ndaj tij.

De-dollarizimi
Ndërkohë, një hallkë tjetër e rëndësishme në planin e aleancës Putin-Xi-Jin Ping për të sfiduar dollarin, është pikërisht aleanca BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrikë e Jugut).

Vendet e BRICS po punojnë për krijimin e një monedhe të re rezervë për t’i shërbyer më mirë interesave të tyre ekonomike, sipas Pavel Knyazev, zëvendësdrejtor i Departamentit të Planifikimit të Politikës së Jashtme të Ministrisë së Jashtme ruse.

Dhe jo vetëm kaq. Por ndryshe nga të gjitha monedhat e tjera ekzistente që bien në kategorinë FIAT, monedha e re e supozuar e kësaj aleance do të bazohet në ar dhe mallra të tjerë me vlerë, pjesë e një shporte të madhe të bllokut pesë-vendësh.

Por çfarë janë paratë FIAT?
Paraja Fiat (nga latinishtja: fiat, “le të bëhet”) është një lloj monedhe që nuk mbështetet nga asnjë mall apo send me vlerë si ari apo argjendi.

Dollari, euro dhe praktikisht çdo monedhë tjetër në botë janë para FIAT. Por kjo nuk ka qenë gjithnjë e vërtetë.

Që nga vendimi i Presidentit Riçard Nikson për të mos paguar konvertueshmërinë e dollarit amerikan në ar në vitin 1971, një sistem i monedhave kombëtare fiat nisi të përdoret globalisht.

Me fjalë më të thjeshta, në vitin 1973, dollari amerikan u kthye zyrtarisht në monedhë FIAT, kur presidenti Nixon deklaroi gjatë një lajmërimi televiziv historik, se dollari do të shkëputej nga varësia e tij tek sasia e arit që qarkullonte në treg.

Por monedhat FIAT janë të mbështetura tek diçka, dhe ai është pikërisht borxhi.

Dhe pavarësisht se ky sistem ka shumë kritikë, ekzistojnë edhe shumë ekonomistë të tjerë që argumentojnë se paratë e FIAT u japin bankave qendrore një kontroll më të madh mbi ekonominë, pasi ato mund të kontrollojnë sa para shtypen si dhe rrisin mundësinë për të marrë më shumë para borxh, që sipas tyre, është e vetmja gjë që ka lejuar rritjen eksponenciale të ekonomive botërore.

BRICS vs. NATO
Për t’u kthyer tek plani i Putin dhe Xi-jin Ping – gjatë mbledhjes së fundit të BRICS muajin e shkuar, Kina shprehu nevojën për zgjerimin e këtij blloku me qëllimin e vetëm: konkurrimin e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s.

Këto shtete nuk i lidh vetëm fakti se ato të gjitha janë pretendente për të qenë superfuqi të ardhshme, por ato gjithashtu i përkufizon fakti se kanë zgjedhur të mos definohen nga ‘vlerat perëndimore’, duke dalë shpesh haptazi kundra tyre dhe mbi të gjitha, të gjitha këto shtete kanë nota – edhe pse në nuanca të ndryshme – të një modeli udhëheqjeje autokratike.

Në aspektin më të gjerë të planit të de-dollarizimit, vendet anëtare të BRICS nuk janë në të njëjtin nivel kur bëhet fjalë për ‘rrëzimin’ e dollarit – kjo sepse disa prej tyre janë ende aleatë të SHBA-së.

Brazili
Kina është partneri më i madh tregtar i Brazilit dhe është e dobishme për të dy vendet të përdorin monedhat lokale për shlyerjet dypalëshe. Megjithatë, varësia e Brazilit nga dollari është mjaft evidente sepse afërsisht 90 % e faturimit të eksportit të Brazilit është e shprehur në dollarë, në një kohë kur Shtetet e Bashkuara marrin vetëm 17 % të eksporteve të përgjithshme nga Brazili. Ky çekuilibër mund t’i shtyjë politikëbërësit brazilianë të mbështesin formimin e një monedhe rezervë BRICS. Ish-presidenti brazilian Lula Da Silva ka shprehur ankthin e tij për dominimin e dollarit në tregtinë braziliane dhe inkurajoi idenë e përdorimit të BRICS si një koalicion de-dollarizimi. Ai gjithashtu deklaroi se BRICS nuk u krijua si një instrument mbrojtjeje, por si një instrument sulmi.

Megjithatë, qeveria braziliane nën Bolsonaro-n është afruar më shumë me fuqitë perëndimore dhe ka qenë jo-konsistente në mbështetjen e një monedhe rezervë BRICS.

Rusia
Duke pasur parasysh interesat e saj gjeopolitike, Rusia ka dashur gjithmonë të përdorë BRICS për të çuar përpara idenë e de-dollarizimit. Tentativa për eliminimin e Rusisë nga sistemi financiar i dominuar nga dollari i udhëhequr nga Perëndimi pas luftës Rusi-Ukrainë në fillim të vitit 2022 ka forcuar më tej konceptin e një sistemi financiar alternativ të pavarur nga dominimi perëndimor.

Presidenti Putin ka theksuar vazhdimisht nevojën për të çdollarizuar ekonominë dhe për të mbrojtur sovranitetin ekonomik të Rusisë.

India
Antagoniste ndaj Rusisë dhe Kinës, SHBA-të e konsiderojnë Indinë një aleat të vlefshëm dhe partner strategjik në rajonin Indo-Paqësor. Qeveria indiane i konsideron përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të reduktuar përdorimin e dollarit më shumë ideologjike sesa praktike dhe nuk e mbështet në mënyrë eksplicite mobilizimin e BRICS për të sfiduar hegjemoninë e dollarit. Për më tepër, përplasjet e fundit ushtarake midis Indisë dhe Kinës e pengojnë më tej Indinë të mbështesë planet e Kinës për të rrëzuar dollarin nga froni.

Megjithatë, kjo nuk përmbledh plotësisht qëndrimin e Indisë ndaj dominimit të dollarit amerikan. India ka eksploruar plane për të reduktuar varësinë e saj nga dollari në të kaluarën. Për shembull, në vitin 2012, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Indisë mblodhi një grup pune për të analizuar idenë e përdorimit të Rupisë indiane në tregtinë dypalëshe të Indisë, veçanërisht duke rekomanduar idenë e përdorimit të rupisë për tregtinë me vendet eksportuese të naftës.

Megjithatë, kjo do të jetë një sfidë, pasi 86 % e importeve të Indisë mbështeten në faturimin e dollarit amerikan, pavarësisht se vetëm 5 % e importeve të Indisë e kanë origjinën në SHBA. Në mënyrë të ngjashme, 86 % e eksporteve të Indisë ishin faturuar në dollarë amerikanë, ndërsa vetëm 15 % e eksporteve të Indisë ishin drejt SHBA-së.

Kina
Acarimi i marrëdhënieve SHBA-Kinë ka nxjerrë në pah fuqinë e dollarit amerikan dhe aftësinë e tij për të krijuar pengesa për tregtinë dhe teknologjinë kineze.

Blloqe të tilla kanë inkurajuar Kinën të largohet nga sistemi global i dominuar nga SHBA dhe potencialisht të ndërtojë një sferë ndikimi me vendet e BRICS. Kina është partneri më i madh tregtar në botë dhe është i pozicionuar në mënyrë unike për të ndihmuar de-dollarizimin rajonal dhe ndërkombëtar. Kina është gjithashtu një lojtar i madh në disa vende aziatike dhe afrikane për financimin e zhvillimit.

Pas krizës financiare globale të vitit 2008, ish-guvernatori i Bankës Popullore të Kinës Dr Zhou Xiaochuan, deklaroi se efekti i përhapur i krizës theksoi dobësitë e natyrshme dhe rreziqet sistematike të sistemit monetar ndërkombëtar. Ai bëri thirrje për krijimin e një monedhe rezervë ndërkombëtare që nuk është e lidhur nga kombet individuale.

Afrika e Jugut
Afrika e Jugut ka ndjekur planet e de-dollarizimit të Rusisë dhe Kinës, por as nuk ka promovuar drejtpërdrejt dhe as nuk ka formuluar ndonjë plan të vetin. Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Afrikës së Jugut janë përmirësuar jashtëzakonisht që nga heqja e sanksioneve amerikane në vitin 1991 pas përfundimit të aparteidit. Afrika e Jugut mund të mos ketë një plan gjithëpërfshirës de-dollarizimi, por kohët e fundit, ajo pranoi përdorimin më të gjerë të Juanit kinez dhe e përfshiu atë në rezervat e saj valutore për të diversifikuar rrezikun e monedhës.

Mungesa e autonomisë dhe sigurisë ekonomike të vendeve në zhvillim është kthyer në një arsye të vlefshme për t’u shqetësuar për vendet e BRICS por edhe shumë vende të tjera, të cilat kanë nisur të shohin për mënyra alternative se si ato mund të mbrojnë dhe forcojnë ekonomitë dhe monedhat e tyre individuale.