Koreja e Veriut kreu një tjetër provë raketore të ndaluar, vetëm disa orë pas një vizite nga zëvendëspresidentja e SHBA-së në Korenë e Jugut, Kamala Harris, njoftoi ushtria.

Dy raketa balistike me rreze të shkurtër u qëlluan në det pranë bregut lindor të Veriut, në shkeljen e tretë të tillë të sanksioneve të OKB-së këtë javë, shkruan BBC.

Ky ka qenë një vit rekord për testet e raketave në Korenë e Veriut dhe lëshimet e fundit janë në kohën e duhur për të dërguar një mesazh.
Ato vijnë pasi SHBA dhe Koreja e Jugut zhvilluan stërvitje të përbashkëta detare këtë javë rreth gadishullit Korean.

Më herët të enjten, Harris u takua me liderin e Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, menjëherë pas mbërritjes së saj në kryeqytetin Seul.

Të dy dënuan veprimet e Phenianit.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë, të dy udhëheqësit kritikuan “retorikën provokuese bërthamore dhe lëshimet e raketave balistike” të Phenianit dhe “riafirmuan qëllimin e denuklearizimit të plotë të gadishullit Korean”.