BE konfirmon: Liberalizimi i vizave në rend dite më 13 tetor

Presidenca çeke e Bashkimit Evropian e ka vendosur edhe zyrtarisht në rend dite diskutimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.


Sipas planit që ka prezantuar ajo, çështja e vizave do të diskutohet më 13 tetor.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Në qershor të vitit 2016, Komisioni Evropian pati vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo pati vënë kusht për finalizim të procesit që të arrihej marrëveshje për ratifikimin e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, dhe që të kishte rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

Lexo edhe: Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor
Më pas më 2018, Komisioni Evropian pati konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe pati propozuar liberalizim.

Parlamenti Evropian e ka mbështetur këtë vendim, mirëpo disa vende skeptike si Franca dhe Holanda nuk janë pajtuar me vlerësimet e Komisionit në tërësi.

Në mesin e shqetësimeve të tyre ishte edhe ajo e rritjes së numrit të banorëve të Kosovës që do të synonin BE-në dhe keqpërdorimin e lirisë së lëvizjes për të kërkuar azil në bllokun evropian.

Raste të tilla kanë ndodhur me shtetasit e Shqipërisë, Gjeorgjisë dhe disa vendeve tjera.

Zyrtarë të BE-së besojnë se tani ekziston “moment pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, duke shtuar se ky proces “duhet të finalizohet brenda disa muajve”.

Nëse arrihet pajtueshmëri, liberalizimi i vizave do të vlejë për bartësit e pasaportave biometrike të Kosovë.

Përveç vendeve të BE-së, qytetarët e Kosovës do të mund të lëviznin edhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn./REL/