Gjatë mandatit tre vjeçar të ministrit të për Vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski, fati për t’u punësuar apo për t’u angazhuar me kohë të caktuar u ka buzëqeshur shumë të afërmve të tij, bashkë partiakëve të mendimit të njëjtë dhe disa miqve të baxhanakut të tij, edhe atë nëpër institucione të ndryshme por edhe në ministrinë me të cilën ai udhëheq, informon A1on përcjellë GAZETA.MK


Bëhet fjalë për persona që përveç angazhimit të tyre në institucionet lokale apo shtetërore janë edhe anëtarë të bordeve në institucione tjera. I tillë është shembulli me personin Borçe Gruevski nga Manastiri, anëtar i partisë, i cili është i punësuar në komunë, në sektorin për kulturë dhe i cili njëkohësisht është edhe anëtar i Bordit drejtues të Komisionit Postar. Në këtë grup hyn edhe personi Andrej Josifovski, përkrahës i Milevskit, i cili nga 6 korriku i vitit 2021 deri para pak kohësh ka qenë në krye të shtabit zgjedhor komunal të PLD-së në Qendër. Ai është drejtor i një sektori në Lotarinë Shtetërore dhe anëtar i Komisionit të Postës, ku sipas informacioneve të A1on merr një paushall prej rreth 45.000 denarë. Bashkëshortja e tij Sanja, e cila është motra e gruas së Milevskit, është e punësuar në Qendrën Shtetërore të Provimeve.

YouTube video
Sipas informacioneve të A1on, dy shokë të tjerë të Josifovskit janë të punësuar në Lotarinë Shtetërore. Bëhet fjalë për personat Andrej Krstevski dhe Tomica Nikolovski, kryetar i shtabit zgjedhor komunal të partisë në Kisella Vodë, i cili në ndërkohë gjatë këtij viti ka marr edhe tre paga në shumë prej 33.000 denarë dhe një 19.800 denarë nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale.

Persona të tjerë janë të punësuar nga vetë ministria, e cila udhëhiqet nga Milevski. Është Tomas Debalovski, shok i baxhanakut të Milevskit, i cili është angazhuar përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Gjatë periudhës 2019-2022 atij i janë lëshuar 22 pagesa nga 33.000 denarë.

Edhe Lubomir Tanevski është shok i baxhanakut të Milevskit, i cili është punësuar përmes një projekti të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Në periudhën 2019-2022 atij i janë bërë gjithsej 22 pagesa nga 58.3302 denarë secila.

Aplikacioni “Financat e Hapura”-“Open Finance” tregon se për nevojat e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale është punësuar edhe Bisera Jakimovska, e cila ka qenë udhëheqëse e departamentit për urbanizëm dhe planifikim në kohën e kryetarit Andrej Zhernovski në Komunën Qendër. Sipas të dhënave, ajo ka tri pagesa – një në vitin 2021 prej 151.921 denarë dhe dy në vitin 2019 me dy shuma të ndryshme – 40.000 denarë, gjegjësisht 10.909 denarë.

Por ka edhe nga ata që kanë arritur të marrin angazhime të cilat u janë paguar mirë në Ministrinë për Vetëqeverisje lokale e të cilat janë realizuar përmes Agjencisë Zvicerane.

Pjesë e listës është edhe Aleksandar Mishev, kumbari i Andrej Josifovskit, dhëndrit të Milevskit, i cili fillimisht është punësuar në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale si këshilltar special, ndërsa më pas është transferuar në një projekt përmes Agjencisë zvicerane për Zhvillimi dhe Bashkëpunim. Ndryshe, nga mesi i muajit mars, Mishev është edhe kryetar i ri i Organizatës Komunale në Qendër. Sipas të dhënave të aplikacionit “Financat e hapura” janë nëntë pagesa, pesë prej të cilave janë 81.821 denarë dhe katër 102.280 denarë.

Filip dhe Teodora Dimitrovska janë angazhuar edhe përmes një projekti të Zyrës Zvicerane. Filipi, i cili është student i Milevskit, ka tetë pagesa, pesë prej të cilave në vlerë prej 81.823 mijë denarë, ndërsa Teodora ka gjithsej nëntë pagesa, prej të cilave për tetë muaj ka marrë 53.277 denarë dhe një muaj është paguar 69.260 denarë.

Përveç këtyre personave, A1on mëson se në këtë institucion ka edhe angazhime të tjera me kontrata në vepër nëpërmjet një agjencie. Për këto angazhime nuk ka pasur shpallje publike, por është bërë vetëm një kërkesë për dorëzim të ofertës, ku vetë Milevski ka vendosur se kë do të angazhoj.

A1on i është drejtuar edhe ambasadës së Zvicrës në Shkup. Nga aty janë përgjigjur se Zvicra kontribuon në disa projekte të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale.

“Është një projekt për zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar rajonal, faza 1 (2017-2021) me një kontribut zviceran prej 3,680,000 franga zvicerane, një projekt për zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar rajonal, faza 2 (2021-2025), me një kontribut zviceran prej 4 milionë franga zvicerane, zbatuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Forcimit të Këshillave Komunale, faza 2 (2022-2027) me kontribut prej 2,636,000 franga zvicerane, zbatuar nga UNDP”, u përgjigjën nga Ambasada.

Pyetjeve se cilët persona janë të angazhuar në këto projekte veç e veç, ne u drejtuam që të kërkojmë përgjigje nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, me arsyetimin se projektet janë kontribut direkt në një program qeveritar.

Për të gjitha këto konstatime, A1on iu drejtua ministrit Goran Milevski. Ai nuk sheh nepotizëm në punësimin e baxhanakut dhe miqve të tij në Lotarinë Shtetërore, duke thënë se nuk është as kompetent dhe as nuk ka asnjë pikë kontakti me këtë institucion. Milevski thotë se si parti nuk mbajnë evidencë se kush nga anëtarët e tyre ku punon, pavarësisht nëse është në sektorin privat apo publik. Sa i përket Agjencisë së Postës, në të cilën janë anëtarë baxhanaku i tij dhe një anëtar tjetër partiak, Milevski thotë se zgjedhjen e bën Kuvendi me propozim të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime.

Milevski nuk jep përgjigje konkrete në pyetjet se kush dhe sa persona janë të punësuar në projekte përmes Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe në çfarë mënyre, gjegjësisht nëse ka pasur shpallje apo ai vetë ka vendosur se kush do të punësohet. Ai pretendon se angazhimi i ekspertëve bëhet në bazë të ekspertizës dhe kompetencës së personave të punësuar, e jo në bazë të përkatësisë partiake.

“Shumica e të punësuarve janë marrë nga faza e parë e projektit nga pjesa e projektit që ishte në krye të zyrës së zëvendëskryeministrit dhe nga ajo e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale. Për shkak të shtrirjes së angazhimeve të punës, në ekip përfshihen persona shtesë, përzgjedhja e të cilëve është bërë në përputhje me procedurat e parashikuara ligjore. Deri tani kisha dëgjuar për punësime në parti dhe nepotizëm, por nuk kisha dëgjuar kurrë për një kategori miqsh. Kur punësojmë njerëz, udhëhiqemi kryesisht nga cilësia dhe ekspertiza e të punësuarve, jo në bazë të përkatësisë partiake. Disa prej tyre i kemi marrë nga sektori bankar dhe për herë të parë i kam takuar kur kanë ardhur të punojnë tek ne, ky është fakt i pamohueshëm”, është përgjigjur Milevski.

Investigimi vazhdon.