Në gjysmën e parë të vitit 2022, autoritetet gjermane kanë deportuar gjithsej 6.198 shtetas të huaj nga vendi. Më të shumtë ndër ta ishin shtetasit e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë.


Shtetasit e Maqedonisë së Veriut e mbajnë rekordin famëkeq sipas numrit të deportimeve nga Gjermania në gjashtë muajt e parë të vitit, tregojnë të dhënat e qeverisë gjermane. Në mesin e 6.198 shtetas të huaj të cilët janë deportuar nga Gjermania në gjysmën e parë të vitit, më të shumtë janë ata të cilët detyrimisht janë dërguar në Maqedoninë e Veriut – 454, njofton Dojçe Vele.

Të dhënat janë zbuluar në kërkesë të grupit të deputetëve të të Majtës në Bundestagun gjerman.

Destinacioni i dytë më i shpeshtë për deportime ishte Shqipëria me gjithsej 402, ndërsa vijojnë Gjeorgjia dhe Turqia.

Marrëveshja e koalicionit midis SPD-së, të Gjelbërve dhe Liberalëve, të cilët e përbëjnë qeverinë gjermane, parashikon “ofensivë për deportim me qëllim në mënyrë më të qëndrueshme që të zbatohet obligimi për t’u larguar nga vendi”, kumtoi MPB-ja gjermane në kërkesë të mediave të atjeshme.

“Në rastet e kriminelëve dhe personave të cilët janë të rrezikshëm, ekzistojnë rregullore për lehtësimin e debimit dhe urdhrave për paraburgim në pritje të deportimit të tyre”, thonë nga policia.

Sipas përgjigjes së qeverisë federale në kërkesën e partisë së të Majtës, autoritetet kanë deportuar gjithsej 35 persona nga Gjermania në njëmbëdhjetë “mini fluturime çarter” në gjysmën e parë të vitit 2022. Gjithsej 167 policë ishin kujdestar për sigurimin e deportimeve.

Shpenzimet për këto fluturime i kanë kushtuar shtetit gjithsej 580.000 euro euro.