Fadil LUSHI


Të lexosh Historinë e nocionit që llafos institucionin e Dorëheqjes politike, nuk mjafton që të jesh politikan, historian, mësues, intelektual a diçka tjetër. E gjithë kjo, kërkon diç më tepër, sidomos kur ke parasysh se ky nocion në përditshmërinë tonë, gjatë kohë ka qenë një “organ politik i vdekur” Se këtë do ta lexosh me a pa “tarafllëqe”, mes rreshtash, me (jo) korrektesë, me inate e me paragjykime, kjo fare pak ka rëndësi. Historia e Dorëheqjes politike, daton që nga koha e qeverisjes së Ismail Qemal Bej Vlorës, kur ministri i tij, Mit’hat bej Frashëri, duke qenë i pakënaqur nga rezultatet e asaj qeverie, fillimisht paraqiti dorëheqjen dhe më pastaj ‘braktisi’ postin që kishte. Kjo dorëheqje ishte konform natyrës së tij, sa politike po aq etike! Ai ishte politikani, i cili me këtë dorëheqje, shqiptarëve ‘kokëfortë’, ua përcolli mesazhin se asnjeri, nuk është dhe që as mund të jetë i “abonuar” për të qenë i përjetshëm në postin e Kryetarit të partisë politike, në postin e Kryeministrit a edhe të Presidentit të shtetit!
Shumë të respektuar kryetarë prej partish politike shqiptare! Të heqësh dorë nga institucioni që udhëheq, nuk do të thotë se do ndërrosh mendje, “bajrak” dhe identitet! Të heqësh dorë nga institucioni, nuk do të thotë se do të shkelësh mbi parimet e moralit demokratik, përkundrazi, e gjithë kjo është një gjest a një akt i guximshëm moral dhe assesi “falimentim” politik!
Qoftë me jetë shumë të gjatë, dorëheqja politike (ndër shqiptarë prej inatçorësh) “me hir a me pahir!?”