25.08.2022, Shkup, – Në kuadër të takimeve të rregullta të Platformës për Dialog publiko-privat, në fokus të diskutimit ishte situata e re e krijuar me rritjen drastike të çmimit të energjisë elektrike, e cila ndikon ndjeshëm në rritjen e kostove operative të kompanive dhe e vështirëson punën e tyre.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore në bashkëpunim me anëtarët e saj bëri një analizë thelbësore të këtij problemi dhe doli me një sërë masash dhe propozimesh për zbutjen e krizës. Sipas hulumtimit të OEMVP, për pjesën më të madhe të kompanive, gjegjësisht 65% e anëtarësisë, të cilat tashmë kanë një infrastrukturë me efikasitet energjetik, shpenzimet e energjisë elektrike në vitin 2021 kanë qenë nga 1.3% deri në 2.3% e totalit të shpenzimeve mujore. Ndërsa këtë vit ato shpenzime janë rritur nga 2 deri në 6 herë. Faturat e muajit korrik tashmë arrijnë 7-10% të shpenzimeve operative mujore. Nga ana tjetër, situata me kompanitë prodhuese është alarmante. Pa përjashtim, për të gjithë prodhuesit, shuma e shpenu mujore të energjisë elektrike përfaqëson të paktën 25% të kostove totale, ndërsa nga ana tjetër marzha e fitimit të tyre është më pak se 5%.
Duke marrë parasysh këtë situatë, OEMVP propozoi një sërë masash për të zbutur krizën e energjisë elektrike. Pritshmëritë janë që qeveria definitivisht dhe menjëherë, me kapacitet të plotë, të fillojë punën dhe të ndihmojë kompanitë përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike, ngrirjen e çmimit të energjisë elektrike sipas shembullit të vendeve fqinje, përshpejtimin e procedurave për instalimin e fotovoltaikëve dhe së fundi, rialokim të një pjesë të madhe, nëse jo të gjithë shumën e fondeve nga shpenzimet kapitale, për t’u investuar në burimet e rinovueshme të energjisë, me qëllim shfrytëzimin maksimal të të gjithë kapaciteteve shtetërore për prodhim të energjisë elektrike.
Propozimet e lartpërmendura u janë dorëzuar institucioneve kompetente dhe janë shpjeguar në mënyrë të detajuar me qëllim implementimin e tyre në kohë sa më të shkurtër.
Qeveria duhet të marrë urgjentisht masa për krizën energjetike, sepse ky problem vë në pikëpyetje vetë ekzistencën dhe mbijetesën e bizneseve në treg.


Shërbimi informativ,
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore