Dikush duhet të ngreh alarmin se diçka e tmerrshme po ndodhë në këtë shtet, diçka e tmerrshme që do ta njollosë rëndë imazhin e popullit shqiptar, diçka që po legjitimohet nga Shaqir Fetai, instalacioni i pushtetit maqedonas në krye të BFI-së; po ndodhë diçka që menjëherë dhe urgjentisht duhet të ndërpritet. Faji më i madh do t’u bie subjekteve politike shqiptare


Nga Ilir Topi

Faktorë ndërkomëtarë mjaft me relevancë kanë sinjalizuar vazhdimisht se Maqedonia e Veriut është një vatër me kushte ideale për t’u zhvilluar ekstremizmi dhe radikalizmi fetar. Ish-sruktura udhëheqëse e Bashksisë Fetare Islame vazhdimisht ka kërkuar ndihmë nga organet gjegjëse shtetërore që t’i bllokojnë aktivitetet dhe çerdhet e ekstremistëve që, përmes manipulimeve në emër të fesë e të Zotit, ia mësynin destabilizimin e BFI-së. Këta struktura e kanë ëndërr që një ditë ta kapin të vetmin Institucion fetar islam në vend dhe prej aty, t’i legalizojnë dhe t’i legjitimojnë të gjitha angazhimet ekstremiste në emër të vendimeve dhe dispozitave ligjore inatitucionale! Kësaj strategjie, aktualisht, gati ia kanë dalur! Aktualisht, kryesia e tanishme e BFI-së, fill pas instalimit të Shaqir Fetait nga ana e pushtetit maqedonas në krye të BFI-së, në zhvillim e sipër e ka fazën e bashkëpunimit me këta struktura mjaft të dyshimta, të padenja për të folur as në emër të fesë e as në emër të kombit. Tërë kjo “lojë” po zhvillohet para syve të organeve të pushtetit i cili, në fakt, me këtë tolerancë dhe me përzierjen e saj në mënyre direkte në oranizim të jetës fetare, po del të jetë një prej stimuluesve kyesor të këtyre rrymave ekstremiste e radikaliste që po zhvillohen në emër të islamit.

Së fundmi herë, falë sinjalizimeve që erdhën nga shërbimet intelegjente perëndimore, policia e vendit arriti që të arrestojë një grup prej tre vetëve që paskan pasur plane e armatim për t’i sulmuar e për t’i ngritur në hava qendrat tregtare të Shkupit! Krijohet përshtypja se ky grup u kap vetëm pasi u sinjalizua prej të huajve! Natyrisht, pasi të kapen kriminelët, ekstremistët, ata merren në pyetje, ata flasin për të gjallë e për të vdekur, ata do të tregojnë gjithçka, ata do t’i tregojnë edhe “ajatollahët” e tyre, do t’i tregojnë nxitësit, motivuest, përpunuesit e shpirtit të tyre naivë, të cilët janë të gatshëm që në emër të Zotit e të fesë të mbysin qindra qytetarë të pafajshëm! Po ku dinë ata se çfarë thotë feja e çfarë Zoti? Kush i manipuloi ata?
Të gjitha këto i di policia e vendit! Në kushte normale bashkë me ekzekutorin kapen edhe motivuesit, inspiruesit, manipuluesit, kapen fondet e tyre, shkëputet kanali i parave të pista dhe të armatimit! Apo, këta që nuk i njeh shërbimi intelegjent i huaj, këta i fusim në përdorim për të na ndihmuar tregëtinë me emigrantët që po vlojnë këtë periudhë.
“Ajatollahu” i këtij grupi, përkundrazi, shpërblehet prej organeve të shtetit! Kryetari i komunës jep urdhër që të nisen eskavatorët dhe të rrënohet objekti pa leje, kurse ministri i punëve të brendshme jep urdhër që të tërhiqen eskavatorët dhe objekti të ndërtohet sa më shpejt. Paralelisht “ajatullahut” bashkëpunëtorë edhe ia legjitimojnë aktivitetin, duke ia zyrtarizuar religjionin i cili përzihet në punët e fesë islame! Islami dhe BFI-ja thërrasin në unitet, prandaj, nuk është e qartë se ide e kujt është kjo përçarje, duke lejuar “xhami” të reja të një religjioni të ri! Për herë të parë, fatkeqësisht, në kohën e Shaqir Fetait po na ndodhë që të kemi edhe “xhami” të ministrisë së punëve të brendshme! Gradualisht do t’i futen edhe themelimit të medresesë private, me qëllim të prodhimit të kuadrit profesional për xhami, të cilët pastaj do të të futen me lezet nëpër xhami! Nuk do të kenë nevojë të ndërtojnë por do t’i uzurpojnë xhamitë dhe, me këtë, edhe vakëfin! Ky është synimi, pa dyshim! Synim i pistë që do t’i kushtojë shumë shtrenjtë imazhit të shqiptarëve të vendit!

Edhe struktura aktuale udhëheqëse e BFI-së e njeh fort mirë këtë problematikë! Shpesh thotë se BFI-ja është e angazhuar me projekt në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, ndërsa asnjë herë nuk shprehi revoltë kundër qëndrimit favorizues të disa segmenteve shtetërore që ua bëjnë këtyre lëvizje ekstremiste. Nuk është syçeltësi institucionale vetëm kapja në moment të fundit e grupeve ekstremiste por, syçeltësi është mbi të gjitha, bashkëpunimi i pandashëm ndërinstitucional, i organeve gjegjëse të shtetit me bashkësitë fetare.
Shaqir Fetai deri më sot nuk e tha asnjë fjalë kundër këtyre “ajatullahëve”, nuk u ankua te askush për ndihmën e shtetit që po ua afron këtyre rrymave si dhe, përkundrazi, po i legjitimon me prezencën e organeve të ndryshme të BFI-së në përurimin e sektit dhe të ideologjisë së tyre që nuk ka kurrfarë përputhshmërie me interesin fetar e as kombëtar të myslimanëve të vendit! Një lojë tragjike e tmerrshme po zhvillohet në taborrin e shqiptarëve të përgjumur! Çdo tragjedi në fund shkakton përlotje të publikut. Një përlotje e trishtë do t’ju ndodhë shqiptarëve në fund të lojës. Në fund do ta kuptojnë se të gjithë paskan qenë në lojë, nën regji të Shaqirave, Stankove e Boshkovskëve që historikisht i kanë shërbyer përçarjes dhe degjenerimit të shqiptarëve!