Shkruan: TetovaSot


Sela iku, por morri me vete misterin e një humbjeje kaq të madhe. Ai ishte njeriu që duhej ta paguajë këtë çmim të disfatës ndonëse nuk ndërlidhet çdo gjë vetëm me të. Ai në radhë të parë hyri i pabarabartë në zgjedhje mes pushtetesh që kishin BDI dhe BESA që dolën fituesit më të mëdhenj në këtë garë zgjedhore për këshillin komunal të Tetovës.

Por, ata kishin me vete edhe fuqinë që Sela i opozitës nuk e kishte.

Nga 5 mijë vota ra në 700 vota, kjo histori rënie kaq drastike e ASH-së në Tetovë ka shumë faktorë që e çuan para aktit të kryer liderin e Ash-së, Ziadin Selës të jap dorëheqje të parevokueshme.

Një parti me 12 deputetë të fituar në zgjedhjet parlamentare 8 prej të cilëve të ASH-së, si ka mundësi që të katandiset deri në këtë pikë?!
Sela për pak sa nuk ia morri pushtetin BDI-së dhe mposhti thellë Bilall Kasamin dhe BESËN, që pa koalicion me LSDM-në sot BESA dhe Bilall Kasami do ishin pjesë e historisë së kaluar.

E ndalu pak!

Këtu duket qartazi se kanë qenë aktivë shumë mekanizma që punuan kundër ASH-së sidomos në Tetovë ku grupe të caktuara “joshën” elektoratin e tyre sidomos BESA dhe Bilall Kasami që pa votat e ASH-së nuk do fitonte kurrë me 20 Gusht, dhe kjo fitore e tij do të jetë e fundit.

ASH-ja dhe Sela nuk kishin kontrata, as premtime qiellore për ti joshur votuesit dhe në këtë pikë qe shumë e pabarabartë karshi oponentëve që luftuan në shumë fronte. Një ndër to ishte si t’ia marrin trupin elektoral ASH-së në qytetin më të fortë me qëllim për ta dobësuar dhe për ta dëbuar nga skena politike.
Dhe gjithë lojën më të madhe e ka luajtur Bilall Kasami dhe BESA me të vetmin qëllim për të dobësuar opozitën shqiptare dhe për të forcuar veten përballë partive maqedonase, por edhe për të hequr nga konkurrenca një parti që t’ia zë vendin më pas.

Kjo natyrisht edhe me fajin e Ziadin Selës që nuk mundi ta mbajë të bashkuar partinë, por edhe me struktura të ASH-së që më shumë punuan për BESËN se sa për partinë e vet.

Kjo të çon në një pyetje interesante “Kush pra ia nguli thikën pas shpine Ziadin Selës në Tetovë?!”
Kjo humbje drastike ishte jashtë çdo parashikimi dhe kjo shtron dilemën e madhe nëse për këtë dështim ishin vetë strukturat e kësaj partie në Tetovë që i bënë gropën kreut të partisë, që sot ai të bëhet nga një lider i partisë më të madhe opozitare shqiptare, në një lider historik si humbës nga një lider i vogël që rri i varur për “kërpeshin” e partive maqedonase dikur LSDM-së e sot VMRO-së.

Bilall Kasami, aktivistët e ASH-së, mbase edhe njerëz të afërtë të Selës nga Tetova i joshi me kontrata, duke bërë kontrata në NPK, kontrata tek Parkingu i qytetit, tek Komuna, disave u premtoi drejtorë në shkolla që më pas u vërtetuan dy ditë pas zgjedhjeve e që dolën me emër e mbiemër e që ishin edhe në listë këshilltarësh, madje janë edhe familjarë të funksionarëve të lartë të ASH-së në Tetovë dhe kjo shihet se sa e fortë paska qenë thika që ju ngul Selës në Tetovë.
Po cili në fakt ishte qëllimi thelbësorë i Bilall Kasamit për ta dëmtuar ASH-në dhe pse tani dalin se i paskan ofruar bashkëpunim me gjithë këto kurthe të bëra pas shpine?
Një ndër misteret e kësaj loje të madhe politike të dërgon edhe tek gjëra të tjera.

A ishte afrimi që Bilall Kasami tia merr bajrakun Ziadin Selës dhe Taravarit tek VMRO-ja me të cilën parti edhe do bëjë Këshillin, kur Sela ndërpreu bashkëpunimin vetëm para pak kohësh me ngjarjet e Komunës së Shkupit? Apo Kasami duke larguar Selën të mendojë njëkohësisht edhe për një koalicion parazgjedhorë me partinë e Mickovskit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare siç bëri ngjashëm me LSDM-në e Zaevit në zgjedhjet e fundit parlamentare?!
Sepse Kasami një gjë e ka kuptuar, në pushtet mund të ngjitet vetëm nëpërmjet maqedonasve dikur me LSDM-në e nesër ëndërron me VMRO-në, pasi fuqia e BESËS së Kasamit është nga Zhelina e deri në Grupçin dhe aty I mbaron fuqia e një lideri opozitar në nivel nacional.

Këto zhvillime politike mes tentimesh për ta goditur kundërshtarin natyrisht që patën një kosto të madhe politike për Selën që e vendosën atë para aktit të kryer.
Por çka nëse ASH dobësohet edhe më shumë dhe a do të mund që Bilall Kasami të forcohet në Gostivar, Strugë, Çair e Kumanovë, Dibër Kërçovë kur dihet se Kasami nuk është i fortë aq sa duket edhe në Tetovë? ,apo ka një thikë e madhe që ju ngul Selës nga brenda ASH-së në bashkëpunimin me Kasamin që nesër të bëhet një koalicion mes BESËS dhe ASH-së pasi Sela kurrë nuk e ka llogaritur Kasamin si një lider e hiq më pak për një bashkëpunim në nivel nacional 50 me 50.

Dhe në fund po e lëmë një pyetje për të gjithë ata që mendojnë natën e veprojnë ditën.

Thika e madhe që ju ngul Selës a ishte thikë e Kasamit, Mickovskit dhe Taravarit?