Grekja akuzon emigrantin shqiptar: Më ka rrahur djalin, i theu dhëmbët, 45-vjeçari e mohon

Një emigrant shqiptar akuzohet për dhunë dhe lëndime trupore ndaj një 14-vjeçari në Greqi.


Emigranti 45-vjeçar akuzohet se ka goditur 14-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë në trup dhe fytyrë.

Sipas denoncimit të nënës së adoleshentit grek, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 korrikut në Selanik, kur i biri kishte dalë për të darkuar me shokët e tij.

Ajo ka thënë në gjykatë se i biri u kthye në shtëpi i gjakosur në fytyrë dhe trup. Ajo tha se emigranti shqiptar e ka rrahur brutalisht 14-vjeçarin.
Sipas gruas, adoleshenti u kthye në shtëpi me dhëmbë të thyer, raporton protothema.gr.

Ndër të tjera ajo ka dorëzuar në gjykatë fotot e të birit ku duken plagët që ka marrë në trup dhe fytyrë si edhe ekzaminimet mjekësore.

Ajo pretendon se emigranti shqiptar iu afrua djalit të saj dhe shokëve të tij dhe se filloi papritur ti shajë dhe ti sulmojë.

”Djali im hyri në mes për të mbrojtur shokun e tij dhe e pësoi, pasi shqiptari ishte nisur për të rrahur shokun e tij”, citohet të ketë thënë gruaja në gjykatë.

Nga ana e tij, emigranti shqiptar ka mohuar çdo akuzë, duke thënë se është i pafajshëm dhe se nuk ka sulmuar 14-vjeçarin.

Shqiptari i cili jeton në Greqi që prej vitit 1996 , ka dhënë një version krejtësisht të ndryshëm të ngjarjes para gjykatës.

Ai mohoi të gjitha akuzat dhe pretendoi se ndodhej në vendngjarje pasi dyshonte se shokët e 14-vjeçarit do të takoheshin me një grup tjetër të miturish për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre personale.

Shqiptari pretendon se ndoqi adoleshentët, pasi ishte i shqetësuar për ata.

Ai tha se pa një grup prej 30 adoleshentësh të cilët po konfliktoheshin duke gjuajtur njëri-tjetrin.

Për këtë arsye ai ndërhyri në mes për t’i ndarë ata, teksa thekson se nuk ka sulmuar asnjërin prej tyre dhe se 14-vjeçari është rrahur nga bashkëmoshatarët e tjerë.

Mbetet për tu parë se varianti i cilës palë është i vërteti./abcnews.al/