European Council For Fatwa And Research


Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime

SHITJA E XHAMISË DHE DESTINIMI I ATYRE PARAVE PËR NJË XHAMI MË TË MADHE

Pyetja: Ju drejtohemi juve që të na sqaroni se a lejohet të shitet xhamia. Ne kemi blerë një objekt, pastaj atë objekt e shndërruam në xhami, ku caktuam një hapësirë për mësimin e gjuhës arabe dhe mësimin e Kur’anit. Pagesa u bë nga donacione të bamirësve. Por, pas pak vitesh, u shtua numri i xhematit, dhe xhamia nuk kishte kapacitet ta absorbojë të gjithë xhematin. Për këtë shkak, ne blejtëm një objekt më të madh. Pyetja jonë është se a lejohet që ta shesim xhaminë e parë? Po ashtu, a lejohet që personi i cili do ta blejë, ta shndërrojë atë objekt xhamie, në lokal për tregti, për banim, për shkollë, apo për ndonjë veprimtari tjetër? A lejohet që paratë që do të merren nga shitja e këtij objekti që shërbeu për xhami, të destinohen për të hapur shkollë në kuadër të xhamisë së re?

Fetvaja (2/33)

Përgjigjja: Në parim, xhamia kur blehet apo kur ndërtohet, e merr statusin e vakëfit, me çka del prej pronësisë së atyre që e kanë ndërtuar, qoftë ai që e ka ndërtuar një person, apo një grup. Kjo, ngase Allahu i Madhërishëm ka thënë: << Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçant për ta adhuruar Allahun...>> [El Xhinn: 18].

​Disa juristë islam e kanë lejuar shitjen e xhamisë, apo ndrrimin e lokalit me ndonjë tjetër, nëse nuk mund të jetë në shërbim dhe nuk mund të shfrytëzohet për atë për çka është ndërtuar, apo nëse në shitjen e saj ka ndonjë dobi të qartë dhe evidente, apo duhet të rrënohet për t’u zgjeruar, apo duhet të transferohet nga vendi ku është, apo paratë nga shitja e saj duhet të destinohen për një xhami më të madhe se ajo, apo për t’u evituar përçarja e muslimanëve duke u ndarë në dy xhami, pa patur nevojë. Është transmetuar se Omer ibn El Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i ka shkruar Sa’ëdit, posa i ka erdhurlajmi se është shpuar muri i Bejtul malit (Arkës së shtetit) (që të grabitet) në Kufe, që ta transferoje xhaminë e cila është në tregun e Kufes, pas Bejtul malit, dhe ta pozicionoje Bejtul malin në anën e kibles (drejtimit kah Qabeja) së xhamisë, pasi ende ka njerëz që falen në xhami. Ky veprim i Omerit argumentoi se lejohet të bëhet transferimi i xhamisë në një vend tjetër, për interesin e Bjetul malit. Atëherë, edhe më e arsyeshme është që të lejohet shitja e xhamisë, dhe të destinohen mjetet përkatëse për një xhami tjetër më të madhe. Është përcjellur prej Imam Ahmedit se ka thënë: “Nëse xhamia është e ngushtë dhe nuk ka kapacitet për ta nxënë xhematin që falet në atë xhami, nuk ka pengesë që të transferohet në një hapësirë më të gjërë”. Ndërkaq, kur është pyetur Imam Ahmedi për një xhami e cila është boshasitur, ka thënë: “Mendimi ynë është që ajo xhami të shitet, dhe ato mjete të destinohen për një xhami tjetër që do ta ndërtojnë”. Shejhul Islam, Ibn Tejmije, ka komentuar në lidhje me mendimin e Imam Ahmedit, si vijon:”Nuk ka dyshim se ajo që ka thënë Imam Ahmedi, flet se lejohet që xhamia të ndrrohet, për një interes, edhe nëse mund të shfrytëzohet, ngase shërbimi që ofron xhamia tjetër, është më i plotë”.

​Bazuar në sa u tha më parë, themi se lejohet që ju ta shisni xhaminë e vjetër, dhe mjetet e marra nga shitja e saj, t’i destinoni për xhaminë e re.

​Nuk ka pengesë që blerësi i xhamisë së vjetër, atë hapësirë ta shndërrojë në shkollë, apo në lokal për tregti të lejuar.

​Me rëndësi është që tërë mjetet e marra nga shitja e xhamisë së vjetër, të destinohen për ndërtimin e xhamisë së re, si dhe për hapësira në kuadër të xhamisë, që janë të domosdoshme për muslimanët e qytetit përkatës, si: klasa për mësim të leximit të Kur’anit, etj.

Prej arabishtes: Bashkim Aliu