“Objektivat gjeografike” të Rusisë në Ukrainë kanë ndryshuar duke përfshirë jo vetëm republikat popullore separatiste Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore, por edhe një numër rajonesh të tjera, tha ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov.


“Tani gjeografia (jonë) është e ndryshme. Nuk janë vetëm DNR dhe LNR, është gjithashtu rajoni Kherson, Zaporizhzhia dhe një sërë territoresh të tjera”, tha ai në një intervistë me agjencinë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.

Lavrov e lidhi ndryshimin e qëllimeve me dorëzimin perëndimor të armëve në Kiev. Ai tha se Rusia nuk mund të pranojë që “në pjesët e Ukrainës që do të kontrollojë Zelensky ose kushdo që do ta zëvendësojë, ka armë që do të përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për territorin tonë dhe territorin e atyre republikave që kanë shpallur pavarësinë e tyre”.

“Nëse vendet perëndimore furnizojnë Ukrainën me armë me rreze të gjatë, (këto synime) do të shkojnë edhe më tej”, tha Lavrov, raporton aljazeera.

Në muajin e kaluar, shpërndarja e sistemeve raketore me rreze të mesme veprimi HIMARS i ka lejuar Ukrainës të sulmojë pozicionet ruse përtej vijës së frontit më shpesh dhe me saktësi më të madhe.

Ekspertët thonë se komentet janë sinjali më i madh ende se Moska po kërkon të vazhdojë aneksimin e territoreve jugore dhe lindore të Ukrainës që kapi në pushtimin e saj pesë-mujor.

Rusia më parë i zhvendosi objektivat në Ukrainë për t’u fokusuar në lindje të vendit në muajin prill pas një përpjekjeje të dështuar për të sulmuar kryeqytetin Kiev.