Raketat ruse goditën infrastrukturën pranë portit në qytetin Odesa, duke i dhënë një goditje marrëveshjes të nënshkruar dje për zhbllokimin eksportet e grurit.


“Armiku sulmoi portin tregtar detar të Odesës me raketa lundrimi Kalibr”, shkroi Komanda Operacionale e Ukrainës.

Dy raketa goditën infrastrukturën në port, ndërsa dy të tjera u rrëzuan nga forcat e mbrojtjes ajrore, sipas tyre.

Moska dhe Kievi nënshkruan një marrëveshje historike të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që shihet si thelbësore për frenimin e çmimeve globale të ushqimeve dhe do të lejonte transportimin e eksporteve të caktuara nga portet e Detit të Zi, duke përfshirë qendrën e Odesës.

Trupat ruse bllokuan miliona tonë drithë që të largoheshin nga portet ukrainase për eksport, menjëherë pas fillimit të pushtimit në shkurt.

Ambasadorja e SHBA në Kiev, Bridget Brink, e përshkroi sulmin e së shtunës si “të egër” dhe tha se Rusia duhet të mbajë përgjegjësi, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.

Sekretari i Përgjithëm i OKB-së, Antonio Guterres, lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se ai “dënon pa mëdyshje” sulmet në Odesa.

Ministria e Jashtme e Ukrainës i bëri thirrje OKB-së dhe Turqisë, të cilat ndërmjetësuan marrëveshjen e së premtes, të sigurojnë që Rusia të përmbushë angazhimet e saj dhe të lejojë kalimin e lirë në korridorin e grurit.