Heshtni, të mos na dëgjojë bota, se u koritëm si komb!

Heshtni, të mos na dëgjojë bota, se u koritëm si komb!


POLITIKA E PLEHUT TË HISTORISË*

Turpi dhe tradhtia që na bën të mbytemi në shurrë të pulës!

Abdulla Mehmeti

Le ta dinë edhe brezat e ri të shqiptarëve, që kanë ardhur këto ditë nga të katër anët e botës për t’i kaluar pushimet verore në vendlindjen e tyre apo të prindërve të tyre, se politikës dhe qeverisjes së vendit, në Tetovë dhe në gjithë Maqedoninë Veriore ende i vjen era RUSI!

Turp dhe poshtërim më të madh nuk ka përjetuar gjatë historisë populli shqiptar në Maqedoninë Veriore, siç përjetoi gjatë tri dekadave të fundit nga drejtuesit e politikës, në emër të demokracisë dhe atdhetarizmit të rrejshëm!

Nga të gjitha ngjarjet, vendimet dhe marrëveshjet historike, nuk ka datë më antikombëtare, armiqësore dhe pushtuese, se sa 3 Marsi i Marrëveshjes së Shën Stefanit (1878) e nënshkruar në katundin Jeshil Koj afër Stambollit, me të cilën Perandoria Osmane u detyruar t’i pranojë kushtet e kapitullimit nga Rusia cariste, e cila përmes kësaj marrëveshje e krijoi shtetin satelit të saj në rajonin ballkanik, të Bullgarisë së Madhe (nga viti 1878 për disa vite me radhë shtetin e Bullgarisë e ka administruar drejtpërsëdrejti Rusia dhe njihet si periudha e administrimit rus në Bullgari), me të cilën u copëtuan dhe okupuan trojet etnike shqiptare, edhe rajonin gjeografik të Maqedonisë, atëkohë të organizuar në Vilajetet shqiptare nën Perandorinë osmane, territore ku shqiptarët përbënin shumicë të popullsisë deri në atë kohë. Pavarësisht se vendimet e Shën Stefanit u reviduan (anuluan pjesërisht) nga Kongresi i Berlinit (1878), deri në ditët e sotme nuk kanë pushuar pretendimet hegjemoniste të Moskës, gjithmonë përmes Sofjes zyrtare, t’i pretendojnë këto territore si të vetat, si “toka sllave e bullgare”.

Ku e gjetën drejtuesit e partive politike të shqiptarëve dhe pushteti i Maqedonisë Veriore, pas pavarësimit të këtij shteti në vitin 1991, nga 80 komuna sa ka gjithsej në këtë shtet, Komuna e Tetovës, me shumicë shqiptare, qendër politike, kulturore dhe arsimore e shqiptarëve, vatër e rezistencës kombëtare gjatë gjithë historisë për mbrojtjen dhe ruajtjen e qenies shqiptare në këto hapësira, datën 3 MARS, ditën e pushtimit dhe copëtimit të trojeve etnike shqiptare, ta shënojë çdo vit si ditë feste, Dita e Komunës së Tetovës?!

Me vite të tëra kemi shkruar dhe reaguar për këtë turp që ua ka imponuar politika shqiptarëve të Tetovës dhe gjithë kombit shqiptar, por gati gjithmonë këto reagime kanë hasur në heshtje mortore, jo vetëm nga pushteti, por edhe nga intelektualët dhe banorët vendës të këtij qyteti dhe më gjerë.

Me këtë, nuk është dëmtuar vetëm interesi kombëtar i shqiptarëve, por edhe interesi shtetëror i Maqedonisë, bashkë me këtë edhe identiteti, historia dhe gjuha e banorëve vendës, shqiptarë, sllavë dhe të tjerë.

A ka turp më të madh dhe tradhti për shqiptarët dhe për shtetin, që edhe sot hapur kësaj politike i vjen era RUSI, e Bullgarisë së Madhe të Shën Stefanit, ndërsa politika, mediet, qarqet shkencore dhe akademike vendëse vazhdojnë të heshtin sikur kjo nuk ngjet ndër ne, në vendin tonë, por diku në ndonjë vend të largët, në ndonjë skaj të botës ku shqiptarët as kanë lënë gjurmë dhe as kanë jetuar ndonjëherë?!

Një kapitull në vete, për të cilin kemi shkruar gjerësisht dhe disa herë në vitet a kaluara, përbën turpi tjetër i politikës më të re të shqiptarëve në Maqedoni, nga viti 1991, kur politika e hëngri sapunin për djathë, nga padija dhe servilizmi, nga ambiciet për pushtet të një klase politike, mbetje e ish-regjimit komunist e promovuar dhe shitur me ambalazh demokracie, e cila me veprimet e saj të derisotme është komprometuar skajshëm.

Pse tani bëhet gjithë kjo zhurmë kundër ndërhyrjes nga Bullgaria, në mbrojtje të identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase (zyrtare), kur krerët e politikës dhe pushtetit, në fillimet e demokracisë, me procesin e pavarësimit të shtetit, për datë të Referendumit për pavarësi e zgjodhën datën 8 Shtator (kjo datë shënohet tri dekada me radhë në Maqedoninë Veriore si Dita e Pavarësisë), një datë e njohur nga historia, kur më 8 shtator 1944 është krijuar Maqedonia bullgare (pa një pjesë të trojeve shqiptare), një shtet kuisling fashist nën udhëheqjen e Ivan (Vanço) Mihajllovit, sot një nga figurat më të urryera ndër sllavët e Maqedonisë, nën ndikimin e politikës ditore dhe medieve të vendit, që me këtë duke e ushqyer armiqësinë dhe konfrontimet me fqinjët lindorë, me pushtetin dhe qarqet intelektuale të shtetit fqinj të Bullgarisë!

Në të ardhmen, me të drejtë Moska dhe Sofja zyrtare do të thonë se, banorët vendës e duan Rusinë, e duan Bullgarinë e Madhe, përderisa 30 vjet i festojnë 3 Marsin dhe 8 Shtatorin, këto data të historisë ruse-bullgare, por janë vetëm disa “nacionalistë” dhe “irredentistë” shqiptarë, janë disa “ekstremistë” që e kundërshtojnë këtë. Prandaj, përmes politikës dhe pushtetit vendës në Shkup e Tetovë, këta duhet të izolohen, të mos u dëgjohet zëri, mundësisht t’u priten kryet ose të helmohen, siç kanë vepruar gjithmonë okupatorët dhe sunduesit e huaj në vendin tonë ndaj atdhetarëve të vërtetë shqiptarë, në bashkëpunim me kuislingët dhe mercenarët vendës!

* Uroj ta lexojnë këtë edhe drejtuesit e pushtetit në Tiranë dhe në Prishtinë, për t’i bërë llogaritë e pastra me cilat klane dhe qarqe bashkëpunojnë dhe lidhin shpresat e tyre për të ardhmen e kombit, integrimet evropiane dhe euroatlantike, përderisa politika vendëse në Maqedoninë Veriore vazhdon të vuaj e dergjet nga gabimet katastrofale të trashëguara nga e kaluara e papastër dhe e sotmja plotësisht qorre. Në lidhje me këtë çështje, edhe drejtuesit e politikës shqiptare në Shkup dhe jo vetëm, të djeshëm dhe të sotëm, ia kanë borxh popullit shqiptar t’i japin sqarime, nëse janë të painformuar, të paditur, apo të shitur!

(27 korrik 2022)