Dorëheqja e Johnson, konservatorët: I pamatur, qëndrimi në detyrë është rrezik për vendin

Kryeministri Boris Johnson ka pranuar të japë dorëheqjen, pas një sërë largimesh nga kabineti i tij. Ndërkohë dy ish-ministra konservatorë janë shprehur për The Guardian se nuk ekziston mundësia që Johnson të qëndrojë deri në vjeshtë në pushtet.


“Ai duhet të largohet sonte, Raab duhet të marrë përsipër”, tha njëri prej tyre. Një tjetër tha: “Ai duhet të dorëzojë vulat e detyrës sot dhe të largohet. Kështu ne mund të kemi një kryeministër në detyrë”.

Një tjetër deputet i konservatorëve që ka qenë me Johnson gjatë 48 orëve të fundit tha se sjellja e tij nënkuptonte se ishte e rrezikshme për vendin që ai të vijonte të qëndronte në detyrë deri në vjeshtë.

“Sjellja e tij në 48 orët e fundit ishte e pamatur. Atij nuk mund t’i besohet drejtimi i vendit deri në vjeshtë. Zoti e di se çfarë do të bëjë”, tha ai.

Një ish-këshilltar i qeverisë tha se ishte “e rrezikshme” që Johnson të qëndronte në post. Një tjetër ish-ministër e quajti atë “një turp”. Ndërkohë, Nicola Sturgeon, ministrja e parë e Skocisë, thotë se mendon se “nuk është e qëndrueshme” që Boris Johnson të qëndrojë kryeministër deri në vjeshtë.