95-vjeçarja që qëndis ende xhubleta, brenga e madhe që Nënë Tolja ruan në shpirt

Nga Romina Braho,


Në 95 vitet që mban mbi supe sytë i kanë parë shumë. Duart edhe më shumë… Miliona rruaza të vogla janë qëndisur prej duarve të saj të arta nëpër xhubleta.

Vetë e ka mbajtur xhubletën veshur thuajse gjysmën e jetës së saj, për plot 40 vite pa rreshtur. Sot, nenë Tolja e Tuzit është qëndistarja më e vjetër e ndoshta e vetmja në gjithë trojet shqiptare e xhubletës.

Kjo gjilpërë duket sikur e di vete rrugën per te arritur perfektshmerine e një xhublete tradicionale shqiptare te zones se Malesise se Madhe.

Pata fatin që edhe unë te vishja për herë të parë xhubletën nga duart e arta e të bekuara të nënë Toles.

“Për 45 vjet nuk ka veshur njeri xhubletë. Edhe tirku nuk gjendet, veç të blesh xhubletë të keqe dhe ta rregullosh. Kjo xhublete peshon rreth 5-6kg.”, thotë nënë Tolja.

Gjatë gjithë jetës së saj nënë Tolja ka veshur e zbukuruar shumë nuse me xhubletat e krijuara nga vetë ajo. Vetë ajo zanatin e ka trashëguar nga nëna e saj.

Nënë Tolja ka një jetë që i është dedikuar xhubletave dhe si pjesë më të veshtirë të punës tregon për rruzat e qëndisura në brez, ku me një përllogaritje të thjeshtë një brez i tillë mund të dojë rreth 5000 rruaza të tilla.

“Xhubletat të duash ti qepësh vetë nga e para, as për 3 muaj si mbaron dot. Kur kam qenë në gjendje të punoj, kam punuar edhe deri ne 4 të natës, por tani kam dorën e dëmtuar dhe nuk punoj dot gjatë.”, shprehet nënë Tolja.

Nënë Tolja e Tuzit mban mbi supe plot 97-vite jetë të mbushura plot me kujtime. Shpeshherë të trishta… Në kohën që u martua nga Malësia e madhe drejt Tuzit, me mbylljen e kufirit në kohën e diktaturës ajo nuk I pa prindërit e familjarët e saj për plot 45 vite. Ngjarje që edhe sot e tregon me lot në sy.

“Si kam parë familjarët për 45-vite të tëra. 13 bija jemi martuar këtej në Mal të Zi. Kemi ikur 18-vjece nga Shqipëria dhe jemi kthyer me flokë të bardha. Si bija u kemi çuar disa kurora me lule dëshmorëve.’’, rrëfen nënë Tolja.

Xhubletat e nënë Toles kanë shkuar në çdo cep të botës, ku njerëzit i blejnë për të mbajtur traditën gjallë duke mbartur gjithnjë një copëz Shqipërie me vete./abcnews.al