Elena Del Pozzo, vajza 5-vjeçare që u zhduk të hënën në Tremestieri etneo, Itali u gjet e vdekur. Ka qenë nëna e saj, Martina Patti, 24 vjeçe, e cila ka gjetur trupin e vogëlushes pas presionit të ushtruar nga hetuesit, sipas mediave italiane.


E reja ka rrëfyer para karabinierëve dhe prokurorëve se kishte vrarë vajzën e saj, por në pyetje nuk mundi të shpjegonte se si dhe pse e ka kryer krimin. Rrëmbimi ishte një inskenim për të mbuluar vrasjen.

Karabinierët e Katanias gjetën trupin e vogëlushes disa qindra metra larg shtëpisë ku jetonte gruaja me ish-partnerin dhe babain e fëmijës, Alessandro Nicodemo Del Pozzo, 24 vjeç.

Fillimisht u raportua lajmi për rrëmbimin e fëmijës nga prokurori i Katanias i cili hapi një hetim duke deleguar hetimet tek karabinierët. Në postim thuhej se “vajza është rrëmbyer rreth orës 15:00 në zonën e Piano Tremestieri dhe se autorët e mundshëm ishin tre persona me kapuç që kishin udhëtuar me një makinë”, të cilës nuk i dihej modeli, ngjyra dhe targa.

Por pas marrjes së pyetjes nga karabinierët, e ëma rrëfeu se kishte vrarë 5 vjeçaren pa dhënë detaje se pse kishte kryer këtë krim makabër.

Prindërit e vogëlushes ishin ndarë prej kohësh. Burri u arrestua për grabitje në vitin 2020, por më vonë u shpall i pafajshëm. Pas lajmit, ai shkoi i dëshpëruar, me partneren e re, në vendin ku u gjet kufoma, në një tokë 400 metra larg shtëpisë ku jetonte çifti para se të ndaheshin.

/abcnews.al