Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot gjatë një konference se brenda këtij viti do të vijnë satelitët e shumëpërfolur Albania 1 dhe Albania 2.

Kreu i qeverisë sqaroi shkurtimisht se dërgimi i satelitëve në orbitë është vonuar për shkak të procedurave.

Kryeministri foli gjatë një konference për bujqësinë ku tha se satelitët do të shërbejnë për të adresuar shkallën e fiktivitetit tek fermerët që kërkojnë subvencionimin e naftës.

Kreu i qeverisë u shpreh se deri më tani mbi 50 mijë fermerë kërkojnë naftë.

Por kur kjo shifër ballafaqohet me numrin e mjeteve bujqësore në terren nuk del llogaria. Prandaj ai u shpreh se në të ardhmen, fermeri që do të marrë naftë do të sjellë edhe faturat ku do të tregojë që ka prodhuar dhe ka shitur.

Po ashtu, ai njoftoi se në të ardhmen do të ketë një financim tjetër për fermerët që duan naftë.

Kujtojmë se kryeministri Rama në tetor të vitit të kaluar paralajmëroi se Shqipëria do të dërgonte në orbitë dy satelitë, Albania 1 dhe Albania 2.

Ai tha se i pari parashikohej të lëshohej në mars 2022 dhe i dyti rreth dy muaj më pas, në qershor.

“Në mars do të lëshohet [Albania 1]. Do të filmojmë një video dhe pas shkëputjes do të shohim satelitin në orbitë”, shprehej Rama në tetor.