“Humbjet janë të konsiderueshme. Shumë shtëpi u shkatërruan, logjistika civile u ndërpre, ka shumë çështje sociale. Ne patjetër do të restaurojmë gjithçka që u shkatërrua. Rusia nuk ka aq raketa sa njerëzit tanë kanë dëshirë të jetojnë”, deklaroi Volodymyr Zelenski, President i Ukrainës.


Nga ana tjetër kryeministri britanik Boris Johnson dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg kanë paralajmëruar aleatët perëndimorë që të përgatiten për një “udhëtim” të gjatë në Ukrainë, pasi forcat ruse kanë intensifikuar sulmet ndaj pozicioneve ukrainase në lindje të vendit. Paralajmërimet e Xhonson dhe Stoltenberg erdhën pasi Zelenski vizitoi linjat e frontit në rajonet jugore të Mykolaiv dhe Odesa. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën, duke i thënë gazetës gjermane “Bild am Sonntag” se furnizimi me armatime të fundit për trupat ukrainase do të rriste mundësinë e çlirimit të rajonit lindor të Donbasit nga kontrolli rus.

“Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës. Edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, edhe për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, tha Jans Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Përfaqësuesi Special i BE-së për të Drejtat e Njeriut Emon Gilmore i cili vizitoi qytetet Irpin dhe Bucha tha se bota nuk mund të mbyll një sy ndaj krimeve dhe se po punojnë me policinë dhe prokurorinë e Ukrainës “për të trajtuar mizoritë” e kryera nga rusët.

“Ky nuk është një objekt ushtarak. Ky është një sulm ndaj civilëve dhe jetës civile dhe është e qartë se kjo është pjesë e natyrës barbare të agresionit që kemi parë në Ukrainë. Ne nuk mund të ngremë supet dhe të themi se kjo është pjesë e një konflikti. Këto janë krime dhe krimet duhet të hetohen dhe përgjegjësit të japin llogari”, deklaroi Emon Gilmore, Përfaqësues i BE-së për të drejtat e njeriut.

Në fushat e betejës, ushtria ukrainase raportoi sulme të intensifikuara në qytetet lindore të Kharkiv, Izyum dhe Severodonetsk. Një këshilltar i ministrit të brendshëm të Ukrainës përmendi një rrezik të shtuar në veri të qytetit të dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, pasi trupat ruse kërkojnë ta bëjnë atë “qytet të vijës së parë të frontit”.