Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur të premten se Rusia “nuk ka asgjë kundër” anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian.


“BE nuk është bllok ushtarako-politik, ndryshe nga NATO, prandaj ne gjithmonë kemi thënë dhe kam thënë gjithmonë se qëndrimi ynë këtu është konsistent, i kuptueshëm, nuk kemi asgjë kundër”, tha Putin gjatë një diskutimi në panel pas fjalimit të tij në Forumi Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg.

Lideri rus shtoi se bëhet fjalë për një vendim sovran të çdo vendi që anëtarësohet apo të mos anëtarësohet në shoqata ekonomike dhe se i takon kësaj shoqate ekonomike të pranojë shtete të reja si anëtarë ose jo.

“Për aq sa është e leverdishme për BE-në, le të vendosin vendet e BE-së. Nëse do të jetë në dobi apo në dëm të Ukrainës është gjithashtu punë e tyre”, tha Putin.

Kujtojmë se përpjekjet e Ukrainës për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian morën një nxitje të madhe të premten në mëngjes, pasi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se blloku beson se vendi duhet të konsiderohet zyrtarisht për statusin e kandidatit pas pushtimit nga Rusia

Duke folur në Bruksel, von der Leyen tha se Komisioni rekomandon “që Ukrainës t’i jepet statusi i kandidatit”, duke shtuar se “kjo është sigurisht në kuptimin që vendi do të kryejë një sërë reformash të mëtejshme”.