Fadil LUSHI


Miku im i dashur! Këtë ‘shkarravinë’ do t’ia kushtoj një shqiptari prej ardhacaku.., ardhacakut (çdo respekt për banorët e ardhur), që jeton dhe banon ndër ne, do t’ia kushtoj njeriut i cili “n’agshol e n’aksham’ ma paragjykon shehërin tim dhe të tjerëve prej denbabaden-i.., do t’ia dedikoj “çunit me moshë të thyer”, i cili për ‘shtatë palë qejfe’ braktisi vendlindjen e tij.., do t’ia kushtoj njeriut që është ulur a shtruar me këmbë të kryqëzuara në kërthizën e kujtesës pamore dhe dëgjimore të shqiptarëve, të cilët shekullin që lam pas, ishin të detyruar të largohen nga këtej.., nga Tetova, Shkupi, Gostivari, Kumanova, nga Kosova e Lugina.., do t’ia dedikoj ardhacakut që gjithë ditën e Perëndisë, ashtu me inat, këmbë e krye e denigron Historinë që llafos shpërnguljet e shqiptarëve!
.., dhe ti paragjykues i vockël që banon ndër ne, të lus mos u bëj po***ën shqiptarëve që ‘ikën’ nga Kosova, nga Lugina, nga Maqedonia dhe.., unë, nuk di të tregoj nga nuk ‘ikën’.., ‘ikën’ nga krahinat e tyre të zaptuara për t’u ‘degdis’ në hapësirat e Dardaneleve dhe ca të tjerë në Anadolli.., ‘degdisën’ në ato anë, ku bukës nuk i thonin bukë, ku ujit nuk i thonin ujë, ku kasollës nuk i thonin kasollë, ku nënëlokes nuk i thonin nënëloke.., ku, shpirtit nuk i thonin shpirt, ku..,! Pjesa dërmuese u humb pa ‘nam e nishan’, ca të tjerë familje u përgjysmuan.., dhe të gjithë u detyruan të ndërrojnë mbiemrin dhe nofkën e fisit!.., ikën me Fletë-Udhëtimi Për të Huaj.., për në tokë të huaj!