Fushat me grurë po zhduken nga horizonti në një botë që ndodhet në mes të një krize ushqimi. Është koha e korrjeve në jug të Ukrainës, por e vetmja gjë që pronarët e fushave kanë arritur të korrin janë bombat ruse.


Nadia Ivanova zotëron një fermë prej 4 mijë hektarësh pranë Mikolaivit. Trupat ruse e dëmtuan atë në mars, teksa përpiqeshin të avanconin drejt veriut. Ka shumë punë për të bërë, por rruga drejt normalitetit është plot me pengesa.

“Së pari është e pamundur të shesësh drithëra dhe nuk kemi para për ta rregulluar fushën. Së dyti, specialistët që mund ta riparojnë nuk janë në rajonin tonë. Ai ndodhet pranë frontit të luftës, ndaj dhe askush nuk vjen këtu”, thotë ajo.