Rusia po izolohet gjithmonë e më shumë në arenën ndërkombëtare pas agresionit në Ukrainë. Edhe aleati i madh i Vladimir Putinit, presidenti kinez Xi Jingping, duket se nuk e mbështet vazhdimin e konfliktit.


Raportet në mediat e huaja tregojnë se dy liderët kanë pasur një bisedë telefonike mes tyre.

Televizioni shtetëror kinez CCTV theksoi se kjo është e para bisedë telefonike mes tyre që prej 25 shkurtit dhe Xi, ka dërguar homologut rus një mesazh të qartë:

“Të gjitha palët duhet kërkojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për krizën, në mënyrë sa më të përgjegjshme”

Nga sa pohon media zyrtare e Pekinit, Jingping shtoi se Kina “është e gatshme të vazhdojë të luajë rolin e saj në këtë drejtim”, teksa i mëshoi idesë se konflikti duhet zgjidhur me marrëveshje.

Rusia nga ana e saj, vazhdon ta shohë me skepticizëm qëndrimin e perëndimit. Washingtoni po luan me zjarrin në çështjen e Ukrainës, në një kohë kur Moska kërkon kujdes maksimal dhe frenim nga përshkallëzimi deklaroi zëvendësministri i Jashtëm rus Sergej Ryabkov, i cituar nga agjencia e lajmeve.

“Shtetet e Bashkuara po bëjnë një lojë të rrezikshme”, është shprehur ai, duke përsëritur thirrjet për të ndërprerë furnizimin me armë të Ukrainës, e sidomos sistemin anti-ajror HIMARS.

Mbretëria e Bashkuar vendosi t`i dërgojë këto raketa me rreze të gjatë në Ukrainë, pavarësisht kërcënimeve të Rusisë për Perëndimin.